Në fjalimin e tij të gjatë, kreu i mazhorancës Edi Rama mbajti qëndrimin e paralajmëruar, mosdhënien e lejes për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë së tij. Deri këtu nuk ka asgjë jashtë kornizës ligjore, është një qëndrim që i përshtatet parimit të shpallur më herët nga zoti Rama: “do të gjykojmë rast pas rasti”.

Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, tjera është se ndërsa Kryeministri deklaron se nuk bëhet mburojë për asnjë përfaqësues të PS-së, realiteti në rastin e zonjës Balluku dëshmon të kundërtën. Faktet publike tregojnë se figurat më të larta dhe deputetë të rinj dolën hapur në mbrojtje të saj, një vendim i pastër politik i pasuar nga mbrojtje politike.

​Kërcitja në këtë qasje vjen kur krahasohet me rastin e zotit Veliaj dhe emra të tjerë të kësaj partie! Asnjë deputet i mazhorancës nuk pati guximin të fliste rreth një vit më parë, madje ai që foli, u “shigjetua” në grupin e komunikimit të grupit parlamentar nga zoti Rama. Ky është një standard jo vetëm i dyshimtë por edhe i paqartë për të ardhmen, duke konfirmuar paralajmërimet se kjo do të ndodhte kur drejtësia e re të trokiste në dyert e rëndësishme të PS-së.

Por mbrojtja politike mbetet pjesa më problematike e një deteje pushtetesh. Ndonëse mund të të shpëtojë nga burgu për momentin, ajo të ngarkon në opinionin publik më shumë se vetë procesi. Nëse mazhoranca do ta shihte zonjën Balluku vërtet si viktimë të drejtësisë, do të duhej të ndryshonte procedurat penale. Me vendimin aktual, ajo thjesht po shtyn agoninë në pqartesitë e të ardhmes.

Zoti Rama ka hapur sot një precedent të ri, asnjë figurë e lartë politike me akuza procedurale nuk duhet të arrestohet. Nëse kjo nuk pasohet me ndryshime ligjore, mbetet thjesht një mekanizëm ku besnikëria mbrohet në dëm të ligjshmërisë. Me këtë skemë të re, mjafton që një zyrtar nëse do të përballet me akuza ligjore, të mos flasë dhe partia të mbron. Por nëse ndodh e kundërta fati politik i të akuzuarve potencial mbeter i paqartë. Kjo është qasja me e rrezishme që mund të kthehet në konstante në të ardhmen në dëm të procese ligjore!

​Nga sot, përgjegjësia i mbetet edhe drejtësisë, të punojë në mënyrë të tillë ligjore që të mos lejojë më asnjë aktor jashtë saj ta kufizojë atë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb