Vllaznia arriti fitoren e radhës në kampionat kundër Bylisit në javën e 7-të të Superiores, me shkodranët që triumfuan në Ballsh me rezultatin 0-1 falë një autogoli të vendasve. Ky ishte edhe suksesi i 3-të rradhazi për skuadrën e drejtuar nga Martini.
Me kuqeblutë që në këtë mënyrë krijojnë vazhdimësinë e aq kërkuar në kampionat dhe nisin shkëputjen nga rivalët. Por, përveç suksesit dhe 3 pikëve me shumë vlerë në “Adush Muça”, ajo që kënaq në radhët e 9 herë kampionëve të vendit është edhe mos pësimi i golave. Me ndeshjen ndaj Bylis, shkodranët bëjnë ndeshjen e 3-të radhazi ku mbajnë portën e paprekur. Ku portieri Pohls ka 270 minuta që nuk pëson gol, duke vënë kështu një rekord në kampionatin e sivjetshëm.
Kjo pasi asnjë skuadër apo portier nuk ka arritur ta mbajë portën e paprekur në 3 ndeshje radhazi deri më tani. E në radhët e shkodranëve duket se i kanë marrë seriozisht kritikat e këtij fillim sezoni, ku vërejtjet më të mëdha vinin pikërisht për portierin e mbrojtjen. Si edhe pësimin e shumtë te golave nga ana e Vllaznisë. Tashmë skuadra duket se ka krijuar stabilitet në prapavijë dhe pavarësisht mungesave të disa titullarë në mbrojtje, ekipi rrezikon shumë pak për të pësuar gola. Ku siç thotë edhe një shprehje në futboll, që sulmi fiton ndeshjet e ndërsa mbrojtja fiton tituj. Një mendësi që po aplikohet më së miri tek kuqeblutë në javët e fundit, të cilët përveç 3 fitoreve rradhazi kanë mbajtur të paprekur rrjetën e tyre po ashtu në këto 3 duele.
MUNGESAT – Në takimin e fundit të fituar ndaj Bylisit në shifrat 0-1 në kuadër të javës së 7-të të Superiores, Vllaznia vuajti edhe mungesën e 5 futbollistëve. Kështu një mungesë e sigurt në mbrojtje ishte Elmando Gjini, i cili kishte plotësuar numrin e kartonëve. Me shtatlartin që do rikthehet në dispozicionin e Martinit që nga ndeshja e radhës në kampionat kundër Tiranës. Por, mungesa për kuqeblutë ishin edhe Bismark e Qato, me dyshen që ka më shumë se një muaj jashtë fushave të lojës.
Teksa në kohë për sfidën nuk arriti të rikuperohej në kohë as Murataj, me fantazistin, i cili nuk u rrezikua aspak ndaj mallakastriotëve. Dhe një përmirësim i gjendjes së tij fizike pritet gjatë kësaj jave. E po ashtu për 9 herë kampionët e vendit mungoi edhe Dros, ku moldavi vetëm pak orë para zhvillimit të sfidës shfaqi një problem muskulor. Ku ish-mesfushori i Elbasanit ishte parashikuar si titullar në këtë ndeshje ndaj Bylis. Në këtë mënyrë Martini u “detyrua” të bënte pa 5 futbollistë në një transfertë mjaft delikate. Ku duhet theksuar se nga të munguarit, shumica prej tyre mund të konsiderohen titullarë dhe pika të forta në formacionin kuqeblu.
Megjithatë në fushën e lojës kundër Bylis, mungesat e këtyre futbollistëve u ndjenë shumë pak, me lojtarët e tjerë që zbritën në fushën e lojës të cilët dhanë nivelin e duhur. Duke ndihmuar skuadrën të merrnin atë çfarë kishte më shumë rëndësi, sigurimin e 3 pikëve dhe “thyerjen” e tabusë së fitimit të ndeshjeve jashtë për Vllazninë. Patjetër ky fakt kënaq trajnerin Martini dhe stafin e tij teknik. Kjo pasi skuadra pavarësisht mungesave, në stol ka me të vërtetë futbollistë që kanë pak diferenca me ata që mund të konsiderohen si titullarë. Në këtë mënyrë skuadra është e plotësuar dhe garanton një ecuri pozitive pavarësisht mos prezencës së disa futbollistëve të rëndësishëm në formacionin startues.
