Operacioni i SPAK në bashkëpunim me Policinë e Finlandës rezultoi me çmontimin e një grupi kriminal të fuqishëm, që trafikonte lëndë sintetike amfetaminë, drogë të llojit kanabis si dhe kokainë në Finlandë. Specifikë e këtij grupi ishte se trafiku drejtohej nga Shqipëria, ndërsa lënda narkotike mbërrinte në vendin nordik nga Spanja dhe Holanda.
Sipas SPAK, 11 anëtarë të grupit ishin shqiptarë. Ata drejtonin rrjetin e trafikut të drogës nga Shqipëria dhe vepronin nga qytete si Tiranë, Vlorë, Berat apo dhe Kuçovë. Ata komunikonin me pjesën tjetër të grupit përmes aplikacioneve Signal dhe Telegram.
Prokuroria e Posaçme ka publikuar vetëm inicialet e tyre.
Urdhër-arrestet janë ekzekutuar për 9 shqiptarë të përfshirë në rrjetin e trafikut si:
B.S, (27.01.1985)
E.A (alias E.T 07.02.1991)
A.M (07.06.1981)
K.Q (14.04.1981;
T.K (alias T.T 15.10.1977)
G.S (05.07.1994;
E.M, (29.05.1983)
L.H, (09.01.1983)
D.L, (07.06.1983)
Ndërsa dy të tjerë mbeten në kërkim.
Gjatë ekzekutimit të masave të sigurimit janë ushtruar kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente biznesi si dhe janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale:
8 automjete
13 telefona celularë
Prova shkresore të ndryshme
Në zbatimin e masave të sigurisë dhe ushtrimin e kontrolleve kanë marrë pjesë edhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë, të policisë së Helsinkit dhe Turkut, Finlandë.
SPAK thekson në njoftimin e parë për mediat se “ndihmë të veçantë në hetimin e këtij proçedimi penal ka dhënë Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, duke ngritur urat lidhëse mes SPAK dhe autoriteteve hetimore dhe policore të Finlandës. Hetimi në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore është mbështetur nga “Rrjeti @ON” i financuar nga Komisioni Europian, i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA)”.
(BalkanWeb)
