NGA: Brikena Metaj
GJIROKASTER- Arkivi i Gjirokastrës nuk do të jetë më funksional, ndërsa qyteti do të ketë një institucion të rëndësishëm më pak. Në bazë të urdhrit më të fundit të drejtorisë së arkivave ka filluar dhe puna për shpërnguljen e të gjitha materialeve dhe dokumenteve. Zhvendosja e tyre do të vështirësojë ndjeshëm shërbimin ndaj qytetarëve që do të duhet të udhëtojnë km të tëra për sigurimin e një dokumenti.

Por drejtues të Arkivës pohojnë se kjo është një zhvendosje në kuadër të ristrukturimit të arkivave në rang shtetëror, duke krijuar katër pika të rëndësishme arkivore në të gjithë vendin. Qëllimi i këtij ndryshimi është sigurimi i kushteve optimale për ruajtjen e dokumenteve gjë që dukej vështirë e arritshme për 12 arkivat e dikurshme.

Arkiva e Gjirokastrës me këto ndryshime shndërrohet në depo arkivore ku do të grumbullohen dokumentet e institucioneve që më pas do të transferohen drejt qendrës dhe dokumentet për asgjësim. Dokumentet historike do të depozitohen në Arkivin e Shtetit. Arkiva e Gjirokastrës ka qenë edhe një pikë orientimi për studiues të ndryshëm brenda dhe jashtë universitetit të Gjirokastrës. Rektori Bektash Mema në rolin e historianit pohon se e rëndësishme për studiuesit është ruajtja në kushte optimale e dokumenteve.

Por arkiva e Gjirokastrës ka qenë edhe vendi ku studentët e Historisë praktikoheshin mbi metodat e hulumtimit studimor e kërkimor që në rastin e zhvendosjes së dokumenteve e bën këtë praktikë të pazbatueshme. Edhe pse pjesa më e mirë e qytetarëve nuk kanë njohuri mbi funksionimin e Arkivës, zhvendosja e këtij institucioni ka shkaktuar reagime negative qytetare. Ky nuk është institucioni i parë që zhvendoset nga Gjirokastra. Disa prej institucioneve që më parë kishin drejtoritë e tyre në Gjirokastër, me ndarjen e re administrative janë zhvendosur drejt Fierit apo Vlorës.
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb