Austria prej sot është në lockdown, ndërsa masat janë shtrënguar edhe në Holandë, Belgjikë dhe disa vende të tjera. Kjo ka shkaktuar protesta të dhunshme.

Prej sot Austria është futur në mbyllje të përgjithshme (lockdown) më së largu deri më 13 dhjetor. Qeveria austriake ka vendosur që kjo gjendje e kufizimeve të mos vazhdohet pas kësaj date, por ka paralajmëruar se prej datës 1 shkurt do të futet në fuqi vaksinimi me detyrim. Masat janë shtrënguar edhe në Holandë, Belgjikë dhe shumë vende të tjera, e kjo ka shkaktuar edhe protesta në këto vende. Në fundjavë në shumë qytete të Austrisë kanë protestuar me dhjetëra mijëra kundërshtarë të vaksinimit dhe të masave të qeverisë. Protesta ka pasur edhe në Kroaci, Belgjikë, Zvicër dhe disa vende të tjera. Por përshkallëzimi më i madh i dhunës është arritur në Holandë.

Dhuna në Holandë
Për të tretën natë me radhë të dielën në mbrëmje ka pasur protesta në shumë qytete të Holandës, për shkak të masave kufizuese kundër pandemisë Corona. Edhe në natën e tretë ka pasur edhe dhunë dhe të arrestuar. Policia bën të ditur se brenda prej të premtes deri tani janë arrestuar në këtë vend rreth 145 deonstrues, shumica prej tyre të rinj. Demonstruesit kanë hedhur mjete piroteknike dhe gjëra të tjera në drejtim të policisë dhe kanë vënë zjarre në shumë vende.

Incidente ka pasur ndër tjerash edhe në qytetet Leeuwarden, Groningen, Enschede dhe Tilburg, ndërsa në fundjavë ka pasur dhunë edhe në Hagë dhe Rotterdam. Në Enschede, ku është vendosur edhe masa e ndalim-qarkullimit natën, policia ka bërë përpjepkje të parandalojë demonstruesit me dhunë, siç shihet në një video të publikuar në rrjete. Ndërsa policia në Leeuwarden është sulmuar me gurë dhe me mjete të tjera.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Në Amsterdam janë mbledhur mijëra njerëz në një marsh protestues, ndonëse protesta ishte anuluar pas dhunës në Rotterdan ditën e premte. Protesta është siguruar nga forca të mëdha policore dhe ka kaluar e qetë.

Protesta në Belgjikë
Në Bruksel janë mbledhur sipas policisë rreth 35.000 kundërshtarë të masave kufizuese të qeverisë së atjeshme dhe kanë protestuar kundër masave dhe kundër qeverisë. Por ata kanë kundërshtuar në radhë të parë masën e qeverisë që të tregohet dokumenti i vaksinimit në hyrje të restoranteve dhe në objekte të tjera.

Qeveria belge ka vendosur kufizime në luftën kundër pandemisë. Ajo kërkon edhe shtrirjen e procesit të vaksinimit tek të rriturit, edhe tek fëmijët. Atje ku është e mundur, punëmarrësit duhet të punojnë prej sot nga shtëpia të paktën katër ditë në javë. Qeveria kërkon vaksinimin më të shpejtë edhe të fëmijëve të moshës 5 – 11 vjeç./DW/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb