Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ka mbajtur sot një fjalim të fortë në Kuvend, duke akuzuar drejtuesin e seancës, kryetarin e Kuvendit Niko Peleshi, për shkelje të rëndë të rregullores parlamentare dhe për nënshtrim ndaj urdhrave politikë të kryeministrit Edi Rama.
Muçi kritikoi ashpër mënyrën se si u mbyll seanca e fundit, ku duhej të zhvillohej debati për programin qeverisës për katërvjeçarin 2025-2029, duke e cilësuar ngjarjen si një akt që “zhbën parlamentarizmin” dhe e kthen Shqipërinë në një model autoritar.
“Zoti kryetar i Kuvendit, ajo që ndodhi në seancën e fundit është e paprecedentë. Mbyllja që i’u bë asaj seance është jo vetëm shkelje e rregullores, por edhe një goditje ndaj vetë funksionimit të Republikës Parlamentare,” deklaroi Muçi.
Ai e akuzoi Peleshin se ka vepruar nën urdhrat e kryeministrit, duke i mbyllur mikrofonin deputetëve të opozitës, dhe bëri krahasime me regjime autoritare.
“Në seancën më të rëndësishme të kësaj legjislature, ju u mbyllët mikrofonat deputetëve si të ishim në Korenë e Veriut. Rregullorja parashikon masa disiplinore për ata që prishin seancën, por jo mbyllje totale të fjalës,” tha ai.
Muçi i kujtoi Peleshit se roli i kryetarit të Kuvendit është institucionalisht më i lartë se ai i kryeministrit dhe e ftoi të reflektojë mbi pavarësinë e institucionit që drejton.
“Ju, zoti Peleshi, qartazi nuk e keni kuptuar rolin e asaj karrigeje ku jeni ulur. Është detyra juaj të garantoni mbarëvajtjen e seancës, jo të bini në shërbim të ekzekutivit. Procesverbali që keni paraqitur nuk pasqyron aspak turpin që ndodhi në atë seancë. Është një turp,” përfundoi Muçi.
Ndërhyrja e kryeparlamentarit Peleshi nuk mungoi. Ai i ndërpreu fjalën Muçit duke i tërhequr vëmendjen për mosrespektim të rregullores dhe tha: “Jeni deputet i ri dhe duhet ta filloni me respektim të rregullores. Gjithsesi, është e drejta juaj të flisni.”
Redi Muçi: Zoti kryetar i Kuvendit, ajo që ndodhi në seancën e fundit është e paprecedentë. Mbyllja që i’u bë seancës së fundit është jo vetëm shkelje e rregullores së Kuvendit, por është një akt i paprecedent që e zhbën parlamentarizmin në vendin tonë. Shqipëria është Republikë Parlamentare nuk është autokraci absolute. Në seancën më të rëndësishme të kësaj legjislature, në seancën ku do të debatohej programi qeverisës për Shqipërinë për katër vjeçarin e ardhshëm, ju u mbyllni mikrofonat deputetëve të opozitës si të ishim në Korenë e Veriut. Nëqoftëse 1, 2 apo 10 deputetë e prishin seancën, rregullorja parashikon masat disiplinore që merren për të siguruar mbarëvajtjen e saj. Ju zoti Peleshi, qartazi nuk e keni kuptuar rolin që mban ajo karrige ku jeni ulur. Roli, madje detyra juaj është të siguroni mbarëvajtjen e seancës plenare dhe jo t’i bindeni urdhërave të Edi Ramës për të mbyllur mikrofonat.
Unë jam i sigurt që ju nuk e dini, por kryetari i Kuvendit është sipër kryeministrit në hierarkinë shtetërore, prandaj procesverbali në fjalë nuk e pasqyron aspak turpin që ndodhi në seancën e fundit. Është një turp.
Peleshi i mbylli mikrofonin dhe i tha:
Jeni deputet i ri dhe duhet ta filloni me respektim rregulloreje, gjithsesi është e drejta juaj.
