Në ditën e tretë të ndërprerjes së transmetimit të News24, televizioni i parë informativ në vend, deputetja e PD Jorida Tabaku thotë se kjo situatë e vendos Shqipërinë përpara një udhëkryqi historik: demokraci apo autokraci.
Tabaku shkruan se prej ditësh, qeveria ka mbajtur të rrethuar godinën e News24, duke përdorur një alibi qesharake për të fshehur një akt të rëndë: goditjen e medias së lirë.
“Në një vend ku çdo raport ndërkombëtar nënvizon censurën dhe autocensurën, ku pushteti kontrollon median me të gjitha mënyrat – mbyllja e sinjalit të një televizioni kombëtar është një hap i hapur drejt autokracisë.
“Liria e shtypit është oksigjeni i demokracisë.” – Pa të, çdo komb mbytet.
Protesta e sotme para News24 është dëshmi se shqiptarët nuk e pranojnë të heshtin. Sepse mbyllja e mediave nuk është thjesht çështje lajmesh – është mbyllja e gojës së një kombi të tërë.
Sistemi i ndërtuar nga kjo qeveri e ka një ëndërr: një Shqipëri ku ligjet bëhen me porosi dhe ku autokracia sundon mbi shumicën.
Detyra jonë është të mbrojmë demokracinë – jo vetëm sepse rruga jonë është BE, por sepse vetëm në demokraci Shqipëria mund të ecë përpara, të zhvillohet dhe të garantojë lirinë e çdo qytetari”, shkruan në mesazhin e saj të postuar në rrjetin social facebook, deputetja e PD Jorida Tabaku.
