Gazetarja dhe moderatorja e News24, Nisida Tufa, në emisionin Log. të drejtuar nga Endri Xhafo, ka rrëfyer ditët kur televizioni më i madh informativ në vend u zaptua nga policia dhe ushtria. “Një ndjesi shumë e keqe, nuk e kisha menduar kurrë” – tha në fillim gazetarja Tufa.
Tufa tregoi pesimizmin në fillim kur u mbyll sinjali i News24, por kur rinisi transmetimi, ajo u emocionua shumë, vetëm atëherë kuptoi se sa logo e fortë është, kur njerëzit në ambiente të ndryshme shikonin flash-in
Nisida Tufa: “Ishte në mëngjes, qarkullonte video e policisë që kishte zaptuar News24. Shoh Klevin kur erdha, një ndjesi shumë e keqe. U ndjeva shumë keq, ndërpreva pushimet. Një pështjellim që mund të na e kishin kursyer.
Prania e madhe e policisë dhe e ushtrisë na krijoi një formë të madhe pesimizmi. Na telefonin duke na ngushëlluar, por nuk kishte lehtësim, pasi uzurpimi vazhdoi. U bë edhe përjetim familjar, djali im i vogël thoshte: Të kanë mbyllur studion? Ishte shumë prekëse. Ditë më vonë pastaj ngushëllimi i vetëm ishte që po improvizohej shpejt një studio dhe ne do të dilnim në transmetim.
Me vendim gjykate, ne duhet të ishim në godinën që kemi qenë prej vitesh. Dhe më e forta ishte se efektivët rrinin pas murit dhe nuk flisnin fare. është një ëndërr e keqe. Gjithsesi, pesimizmi zgjati pak, pasi ne erdhëm dhe vijuam punën. Ishte emocionuese kur rinisëm transmetimit, pasi më thonin që sërish tv në ambiente të ndryshme e kishin sinjalin te News24. Kjo tregon se është një logo e fortë. Pastaj nisi edhe flash-i, informacione që ky tv ka qenë i pari dhe më i shpejti.”
