Politologu Shpend Gashi, i ftuar në studion e News24, shprehu mendimin e tij mbi vendimin e qeverisë për të mbyllur aplikacionin TikTok në Shqipëri.

Gashi e karakterizoi këtë veprim si një manovër të mundshme politike nga ana e kryeministrit Edi Rama, duke theksuar se ndihmon për të shmangur efektet elektoralë në prag të zgjedhjeve.

“Duke marrë parasysh se vendimin e jep një kafshë politike si Edi Rama, nuk mund t’i shmanget arsyeja e përdorimit elektoral. Mediat po presin çdo ditë për të mësuar emrin e radhës që do të lidhet me një arrestim të mundshëm, siç janë Balluku dhe Balla. Dje dolën lajme në TikTok për të dy, të cilat më pas u përgënjeshtruan nga SPAK,” tha Gashi.

Ai nënvizoi se një emër i njohur nga e majta dhe një tjetër nga e djathta pritet të bien në gijotinën e SPAK, duke shtuar se për t’i shpëtuar efektit elektoral të goditjes ndaj një eksponenti të rëndësishëm politik, qeveria ka vendosur të hapë “tymnajën” e mbylljes së TikTok.

“Jam dakord që TikTok është gjëja më e skajshme në hierarkinë e vlerave. Ka aplikacione të tjera që mund ta zëvendësojnë TikTok, pasi ka platforma të tjera që operojnë në të njëjtën mënyrë,” përfundoi Gashi.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb