Pas SHBA-së dhe BE-së ka reaguar edhe Franca lidhur me veprimet e fundit të Policisë së Kosovës në Veri.

Parisi në një komunikatë për mediat ka bërë të ditur se janë të shqetësuar për veprimet e fundit që çuan në mbylljen e zyrave të bankave postare serbe në Veri të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës “këto veprime të reja të njëanshme kontribuojnë në përshkallëzimin e tensioneve dhe rrezikojnë diskutimet e vazhdueshme, nën patronazhin e Bashkimit Evropian, që synojnë gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme për personat e prekur nga zbatimi i rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

Më tej në reagim thuhet se veprimet e Kosovës ndikojnë në jetën e përditshme të komunitetit serb në Kosovë dhe shkojnë kundër përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, parakusht për realizimin e perspektivës evropiane të dy vendeve.

“Franca u bën thirrje autoriteteve kosovare që të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i njëanshëm. Inkurajon të dyja palët të kthehen në tryezën e negociatave dhe të punojnë në propozimin e fundit të kompromisit të paraqitur nga ndërmjetësimi evropian, e vetmja bazë realiste për arritjen e një marrëveshjeje që lejon përfituesit e kualifikuar të marrin transferta financiare nga Serbia”, përfundon njoftimi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: