TIRANË- “Vendosëm të rimartoheshim, por gjithçka mori fund pasi ajo pranoi se më kishte tradhtuar kur kemi qenë të ndarë”. Kështu e ka shpjeguar vrasjen e gruas 37-­vjeçari, Shkëlqim Disha, i cili e mbyti të shoqen me rripin e pantallonave mbrëmjen e së martës në fshatin Shëngjergj, në Tiranë.

Bashkëshorti i Resmie Dishës, 31 vjeçe, është marrë në pyetje dje në ambientet e drejtorisë së policisë, ku ka dhënë shpjegime të hollësishme për ngjarjen. Ai ka bërë me dije se ishte ndarë me gruan më parë dhe gjatë tre viteve të fundit kishte vendosur të rikthehej të jetonte me të, shkruan Panorama.

Ai kishte qëndruar i shkëputur nga e shoqja, pasi marrëdhëniet e tyre ishin ftohur, duke sjellë edhe divorcin. “Edhe herën e parë, pasi lindëm dy fëmijët, i dhamë fund për shkak të mosmarrëveshjeve që kishim. Unë dyshoja se më tradhtonte, ajo nuk e pranonte dhe reagonte keq”, ka thënë Shkëlqim Disha në polici. Ai ka bërë me dije se nuk ka jetuar me Resmie Dishën gjatë tre viteve të fundit, por dy javë më parë, ata kanë vendosur kontaktet mes tyre dhe janë takuar. “U takuam dhe folëm pasi unë kisha vendosur të rimartohesha me të, edhe për shkak të fëmijëve”, ka thënë 37­ vjeçari në polici.

TRADHTIA

Gjatë javëve të fundit, Shkëlqim Disha ka dëgjuar në fshatin Shëngjergj fjalë të ndryshme në lidhje me gruan. Për këtë arsye, pasi është takuar me të shoqen të martën pasdite, ai i ka kërkuar asaj shpjegime në lidhje me ato që kishte dëgjuar. Dy bashkëshortët janë përfshirë në një debat të ashpër mes tyre disa metra larg shtëpisë, në zonën e quajtur ish­Nishtulla nr. 3, në Shëngjergj. Debati ka vazhduar për disa minuta. Shkëlqim Disha ka shpjeguar dje në polici se i kishte kërkuar të shoqes të tregonte të vërtetën për çfarë flitej në fshat dhe çfarë dyshonte ai. “Dyshoja se më ka tradhtuar më parë, kur kemi qenë të ndarë. I kërkova disa herë të më thoshte vetë gjithçka, por e pashë që po më shmangej. Nuk donte të fliste, pastaj ndërronte muhabet”, ka thënë 37­vjeçari. Ai ka shpjeguar se më pas e kapi për krahu të shoqen dhe, duke e tundur e duke i bërtitur, i kërkoi të vërtetën. “Ajo pohoi me kokë”, ka thënë Shkëlqim Disha në polici.

VRASJA PËR XHELOZI

Bashkëshorti i viktimës Resmie Disha ka shpjeguar se, pasi e shoqja i pohoi me kokë, e ka humbur kontrollin, edhe pse ajo i kishte thënë se “ka ndodhur shumë më parë, kur nuk ishin bashkë”. Burri 37­vjeçar ka thënë se nuk i ka kontrolluar më veprimet e tij dhe ka marrë një dru, me të cilin e ka qëlluar të shoqen në kokë. Pasi gruaja është rrëzuar brenda avllisë së banesës, Shkëlqim Disha ka shpjeguar se ka nxjerrë rripin e pantallonave dhe pasi ia ka vendosur rreth qafës të shoqes, e ka shtrënguar atë. “E mbajta pak, nga mllefi po e shtrëngoja, por në një moment pashë që ajo nuk po lëvizte më. Kërkova ndihmë ku munda, pastaj njoftova policinë, pasi më doli situata, nuk doja ta vrisja. Do të ikja nga shtëpia, por nuk doja ta vrisja”, ka thënë i arrestuari me akuzën e vrasjes në rrethana familjare.

(m.k/BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: