Lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar sërish kryeministrin Edi Rama për lidhje me ish-agjentin e FBI-së Charles McGonigal, duke thënë se “s’ndahen si tymi nga bloza”.
Me tone të ashpra, Berisha ka paralajmëruar mazhorancën se çdo ndërhyrje në vullnetin e qytetarëve do të ndëshkohet.
“Për çdo votë – një vit burg!”, tha ai si paralajmërim për Edi Ramën, Taulant Ballën dhe Ilir Prodën.
Sali Berisha: “Ka qeverisur 12 vite dhe del me maskë në fytyrë. Vë një maskë dhe kalon si hokatar nga takimi në takim, jo po çyrykët, jo po budallenjtë, jo po këneta, jo po hardhucat, jo po zhapinjtë dhe kujton se me banalitete i bën shqiptarët të harrojnë se çdo qeveritar duhet të japë llogari para tyre për ato që ka bërë.
Ka hequr dorë nga premtimet, por prapë zakonin e tij të vjetër nuk e harron, nuk mund të mos gënjejë. Mirëpo kësaj here për gënjeshtra merr copëza nga programi ynë. Po kush ia beson atij? Askush. Edi Rama është njeriu më i pabesueshëm.
Miq, së fundmi dua t’u jap edhe një lajm tjetër.
Atë e thërret McGonigali.
Siç nuk ndahet tymi nga bloza, nuk ndahet Rama nga McGonigali.
McGonigali tani shtron para autoriteteve gjyqësore amerikane se unë vërtet u dënova për paratë që mora, por paratë m’i ka dhënë Edi Rama.
Kjo do të thotë se para gjithë botës është korruptues, është kryeministër që ka kryer krim dhe u garantoj se pas 11 majit do marrë përgjigjen që meriton.
Dhe ai është vetëm fillimi se proceset e tij nuk kanë fund.
Së fundmi, edhe dy fjalë.
Po përdor banda. Ua thashë edhe në Librazhd, e them edhe këtu.
Banditët që guxojnë t’ju bëjnë ju shqetësimin më të vogël, do shpallen grupe terroriste me 12 maj dhe do trajtohen si të tillë. Bashkë me Edi Ramën, bashkë me Ballën, bashkë me ministrat dhe kriminelët e tjerë në qeveri. Paralajmëroj Prodën e Matriksit, njëfarë komisar në Përrenjas, Klodian Dani dhe disa ushtarë të tjerë të tij, se për çdo votë do keni një vit burg. Do pësoni atë që nuk ua pret mendja. Mos ndërhyni në vullnetin e qytetarëve!
Asgjë nuk e mposht vullnetin tuaj!
Asgjë nuk na ndalon ne në marshin tonë drejt fitores!
11 Maji është ndryshimi i madh”!
