Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi në një deklaratë të mbajtur për mediat, ka hedhur akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur se do të jenë vetë shqiptarët që do ta rrëzojnë regjimin e tij.
Blushi e vlerëson Ramën si kryeministrin që ka sjellë vetëm korrupsion e drogë për shqiptarët, ndërsa thotë se përballja e opozitës me atë që e quan narkoshtet do të jetë e fuqishme dhe e pandalshme deri në fitore.
Deklarata e Tedi Blushit:
Rrëzimi i Maduros përbën një ngjarje madhore historike për të gjithë njerëzit e lirë dhe, në mënyrë të veçantë, një burim shprese për popujt që vuajnë nën regjime të ngritura mbi drogën, krimin dhe manipulimin e zgjedhjeve.
Është një mesazh i drejtpërdrejtë dhe inkurajues për çdo shqiptar të ndershëm e patriot, që të bëjë gjithçka për t’ia shkurtuar ditët Narkoshtetit të vetëm në Europë, të cilin mediat amerikane me të drejtë e kanë cilësuar si “Ramaduro”.
Kjo ngjarje provon se karrigia e pushtetit nuk është as strehë pandëshkueshmërie dhe as mburojë imuniteti për narkodiktatorët, të cilët, në aleancë me kartelet e drogës, ndërtojnë narkoregjime për të grabitur pasuritë dhe për të shtypur liritë e qytetarëve.
Fundi i pashmangshëm i regjimeve të tilla është dëshmi se asnjë diktaturë, sado e gjatë apo e egër, nuk është e përjetshme dhe se fundi i narkodiktatorëve është gjithmonë i njëjtë.
Në një realitet ku narkoeurot dhe narkoekonomia, të ngritura mbi betonin dhe ndërtimin e kullave, e kanë shndërruar koston e jetesës në një barrë të papërballueshme për shumicën e shqiptarëve; ku liritë dhe të drejtat themelore shtypen e nëpërkëmbën çdo ditë; dhe ku taksat e pronat e qytetarëve grabiten në mënyrë të pamëshirshme, qëndresa e vendosur dhe e pandalshme kundër regjimit të “Ramaduros” merr sot, më shumë se kurrë, përmasat e një misioni historik për çdo shqiptar të lirë, të ndershëm dhe të përgjegjshëm ndaj së ardhmes së vendit.
Mbrojtja e hapur dhe arrogante që Edi Rama po i bën Belinda Ballukut, duke keqpërdorur brutalisht Kuvendin si bunker për të fshehur dhe për t’i garantuar pandëshkueshmëri zëvendëses së tij është një akt shumë i rëndë politik dhe moral, që konfirmon qartë se KryeNarkosi nuk po mbron një ministre, por po mbron veten dhe aferat korruptive që e lidhin drejtpërdrejt me abuzimin sistematik të fondeve publike dhe kapjen e shtetit nga mafia.
Çdo ditë që Belinda Balluku vijon të mbetet në detyrë shërben si një dëshmi e re se korrupsioni jo vetëm tolerohet, por edhe mbrohet nga maja e një strukture mafioze që ka marrë peng shtetin.
Është një ditë më shumë për manipulim, për fshehje të së vërtetës dhe për shkatërrim provash, që lidhen me vjedhjen e organizuar të parave publike nga vet KryeNarkosi.
Sot Shqipëria edhe pse një vend anëtar i NATO-s është marrë peng nga mafia, ku çdo zyrë e shtetit funksionon nën urdhrat e krimit dhe ku siguria kombëtare ndodhet në duart e Ergys Agasit dhe karteleve të drogës.
Zbardhja në detaje nga drejtësia amerikane të aferës “McGonigal”, një prej aferave më të rënda dhe të paprecedenta në historinë politike të një vendi anëtar të NATO-s, që faktoi katërcipërisht komplotin e mirëfilltë të Edi Ramës kundër demokracisë, pluralizmit politik dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe që kompromentoi marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Ky Narkoregjim ka humbur çdo legjitimitet moral dhe politik.
Llogaridhënia është e pashmangshme dhe koha e mbrojtjes së Edi Ramës me 83 mandatet e dala nga zgjedhjet e vjedhura mbi kurrizin e qytetarëve po shkon drejt fundit.
Përballja pa kthim me narkoshtetin e “Ramaduros”, me çdo mjet demokratik dhe me përshkallëzim të pandalur të aksionit opozitar, është një betejë që nuk do të ndalet deri në fitoren e shqiptarëve dhe rikthimit të sovranitetit te populli.
