Deputeti i PS Petro Koçi, në rubrikën “Opinion” në “News24” komentoi çështjen McGonigal dhe akuzat e opozitës ndaj kryeministrit Edi Rama.

Gjatë bisedës në studio, Koçi u shpreh se kreu i PD Sali Berisha është takuar edhe me Fazlliç dhe se sipas tij tradhtari vetëm i marrëdhënieve me Amerikan është shpallur non-grata.

“Takimi i një zyrtari amerikan është krejt normal, nuk ka asgjë të pandershme. Rama ka dhënë një shpjegim lidhur me këtë çështje. Për mua nuk ka rëndësi se çfarë thonë disa të tjerë. Nëse do të marrim për referencë frikën, kjo është frika e opozitës, pasi duket pritur një dështim tjetër më 14 maj, fillon me konspiracione. Mund të them që marrëdhëniet e Shqipërisë me SHBA aktualisht janë të shkëlqyera dhe kurrë nuk kanë qenë më lart se sa sot. Janë të tjerët ata që i kanë rrezikuar këto marrëdhënie”, ka thënë ndër të tjera Koçi.

Sakaq Koçi theksoi se qëndrimet e saj opozita po tregon se merr urdhër nga Moska. Ndër të tjera tha se përpjekja për të justifikuar betejën finale të Berishës, është një gjuhë që kërkon destabilizimin e Shqipërisë.

“Me shumë të drejtë mund të them se kanë marrë urdhër nga Moska që të destabilizojnë vendin sepse atë po bëjnë. Nuk ka asnjë indicie të përkeqësimit të marrëdhënieve me SHBA”, u shpreh Koçi.

Koçi gjithashtu komentoi edhe zhvillimet në Kuvend dhe debatet e shumta të zhvilluar në seancën e sotme plenare duke theksuar se opozita është kthyer në anormalitet.

Sa i përket protestës së lajmëruar nga Berisha, Koçi u shpreh i bindur se nuk do të jetë aspak shqetësuese.

“Berisha është i shpallur non-grata dhe i ka dëmtuar shumë herë marrëdhëniet me Amerikën. Këto sjellje të dhunshme në parlament që të kujtojnë sulmet e pareshtura me flakadanë. Kemi të njëjtë PD që është simboli i dhunës dhe i destabilizimit të institucionit. Problemet më të mëdha mendoj se i ka Berisha dhe i ka edhe familjare”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb