Kryeministri Edi Rama ka vijuar edhe sot me rubrikën “Sy m’sy” ku ka bërë me dije se më 2 mars në Athinë do të mbahet një panair pune.
“Kemi një panair të madh në Athinë me 2 mars, në një ditë të gjatë me shumë aktivitete ku synojmë të vëmë në kontakt të drejtpërdrejtë shumë kompani shqiptare të Shqipërisë në ndërtim, turizëm, inovacion me bashkatdhetarët tanë në Athinë edhe më gjerë mbase. Gjithë materiali do jetë në dispozicion edhe në një faqe web online, ku të gjithë mund të hyjnë dhe të shohin mundësitë që janë për të lidhur kontrata pune, qoftë sezonale për turizmin, ose vjetore qoftë në turizëm, ndërtim ose fusha të tjera.
Sfida është të thyejmë steriotipin se në Shqipëri pagat janë të ulëta dhe mundësitë të ulëta. Ta thyejmë steriotipin me fakte të aksesueshme dhe ku shihen modelet dhe kushtet e kontratave. Do të jetë një fillim i mbarë, është vetëm hapi i parë, panairet do t’i bëjmë traditë në mandatin e 4 sepse negociatat do t’i lidhim me procesin për kthimet në Shqipëri për të jetuar dhe punuar. Jo vetëm kthime përfundimtar, por edhe kthimin e pjesshëm apo investimet”, tha ai.
(BalkanWeb)
