Kreu i PD Sali Berisha ka deklaruar se situata e vetme për të dalë nga situata ku ndodhet sot vendi janë protestat.
Ai u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen më 22 dhjetor përpara Kryeministrisë.
Berisha: Rruga e vetme mbetet protesta dhe ne nuk do të dorëzohemi
“Krimet shndërrohen në votë, vota shndërrohet në krim. 20 resorte prej të cilave dhe 135 hektarë njëra, në vargmalet e Shetelit, Rubjekës dhe të Maminasit, janë miliarda euro të botës së krimit të Frank Çopjave, Dritan Rexhepëve, e të tjerë që vijnë këtu, lahen, por natyrisht ushtrojnë terror mbi shqiptarët, ju grabisin votat dhe i përzënë nga vendi.
Në këto rrethana, mbetet rrugë e vetme protesta.
Mbetet rrugë e vetme që çdo deputet, çdo politikan t’i shtrojë vetes pyetjen, çfarë kontributi do japë ai në organizimin, në konsolidimin e një lëvizje permanente protestuese.
Absolutisht asnjë zgjidhje tjetër nuk ka, përveç dorëzimit tonë de facto pa kushte, por ne s’kemi pse dorëzohemi. Jo. Ne duhet të fillojmë qëndresën dhe protestat tona, të marrim fatin tonë në dorë, qytetarët shqiptarë të marrin fatin e tyre në dorë.
Thirrja ime për ju është secili të t’i shtrojë pyetjen vetes, çfarë mund të bëjë më shumë. Dhe çdonjëri prej neve mund të bëjë shumë më tepër.
Edi Rama qëndron në pushtet sepse ne nuk jemi në rrugë.
Sepse ne nuk jemi në protesta për t’i treguar vendin që u tregohet diktaturave autoritare.
Ne kemi tani çdo të drejtë të qëndrojmë në misionin tonë.
Të nderuar deputetë, është e domosdoshme që në takimet tuaja me qytetarët, t’u bëhet thirrje guximtarëve, t’u bëhet thirrje qëndrestarëve, t’u bëhet thirrje qytetarëve, të mos pranojmë verdiktin që na ka diktuar Edi Rama.
Me fjalë të tjera të mos pranojmë këtë fat që ai na ka diktuar. Nuk e meritojmë ne këtë.
Por të ngrihemi. Në këtë kuadër dita e hënë 22 dhjetor, ora 18:00, është fillimi i protestës sonë. Por duhet të jemi shumë të qartë, ne kemi vetëm një rrugë: protesta, protesta, protesta gjer në largimin e Edi Ramës.
Dhe pa protesta të qëndrueshme dhe të fuqishme, siç kanë faktuar narkodiktaturat apo diktaturat, ato nuk largohen.
Ne jemi shumë dhe do jemi shumë më tepër. Por në radhë të parë nuk ka më të rëndësishme sesa vendimi i secilit prej nesh, çfarë do bëjmë më shumë.
Faleminderit.”, tha Berisha.
