Ky është momenti kur forcat RENEA i vënë prangat të shumëkërkuarit Aldo Avdyli, pjesë e një prej grupeve më të rrezikshme kriminale në vend me bazë në Shijak drejtuar nga xhaxhi i tij Astrit Avydli alias Astrit Balliu.

Sikurse shihet nga pamjet, 37-vjeçari fliste me pistoletë poshtë jastëkut, në një apartament në zonën e Liqenit të Thatë ku strehohej teksa ndodhej në arrati.

Aldo alias Elidon Avdyli ishte në kërkim me urdhër të SPAK për akuzat e “Vrasjes me paramendim”, kryer për hakmarrje, “pastrim parash” dhe grup kriminal”.

Nga hetimet e SPAK rezulton se Aldo Avdyli në bashkëpunim me xhaxhain e tij Astrit Avdyli, Ermir Dedja i vrarë në Durrës në 2024, Enea Kumen vëllain e deputetit socialist Loer Kume si dhe Alfred Dokën, organizuar vrasjen e Edmir Bregut në 2021 në Durrës. Sipas prokurorisë së Posaçme, Bregun e ekzekutuan për motive hakmarrje për shkak se ai kishte marrë pjesë në dhunimin e Avdylit.

Gjithashtu, rezulton se 37-vjeçari komunikonte me Aleksandër Lahon i njohur si Rrumi, i cili  ofronte prona në bregdet me qëllim që ai ti eliminonte kundërshtarët e tij. Rrumi akuzohet për një skemë masive tjetërsimi të pronave në bregdetin e Durrësit, në fshatrat Lalz, Drac, Shetaj e Bizë.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim, strukturat operacionale të Policisë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një shtetas në kërkim, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ghosts”.

Në kuadër të operacionit, Forcat Operacionale të DVP Durrës, në bashkëpunim me DFPO dhe Forcat Speciale “RENEA”, në afërsi të Liqenit të Thatë, kapën dhe vunë në pranga shtetasin E. A. alias A. A., 37 vjeç, banues në Shijak.

Ky shtetas akuzohet nga GjKKO-ja, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për hakmarrje, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Materialet procedurale iu referuan SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb