Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar lidhur me tensionet e ndodhura në Kuvend gjatë seancës së sotme, duke akuzuar maxhorancën për shkelje të rregullores dhe pengim të opozitës.
E ftuar në News24, Xhixho deklaroi se gjatë fjalës së Flamur Noka, drejtimi i seancës nga Niko Peleshi nuk respektoi rendin e diskutimeve, duke i mohuar të drejtën e fjalës deputetes Elda Hoti dhe duke ia dhënë atë Bora Muzhaqi. Sipas saj, opozita po përballet me kufizim të vazhdueshëm të hapësirës për të folur në Kuvend, ndërsa dënoi edhe reagimin e Taulant Balla ndaj deputeteve të opozitës, përfshirë edhe gjuhën e përdorur ndaj Albana Vokshi.
Xhixho u ndal edhe te procesi i integrimit europian, duke pretenduar se maxhoranca ka ndikuar negativisht në këtë drejtim. Ajo iu referua raportit të ndërmjetëm të Bashkimi Europian, duke thënë se ai është bllokuar për shkak të shqetësimeve mbi situatën në Shqipëri. Sipas saj, votimi në Kuvend për çështjen e Belinda Balluku ka ndikuar drejtpërdrejt në procesin e integrimit, duke e cilësuar atë si një “mburojë politike” që ka penguar drejtësinë.
“Kur po fliste zoti Noka, zoti Peleshi ka tentuar që të vazhdojë me seancën në mënyrë normale. Aty ka qenë zonja Hoti që kishte të drejtën për të folur, por i është mohuar e drejta. Peleshi ia dha fjalën Bora Muzhaqit. Opozitës i mohohet e drejta e fjalës. Zoti Balla ka reaguar në mënyrë të paprecedentë ndaj zonjës Hoti. Madje dhe gjuha e Ballës ndaj zonjës Vokshi ne si opozitë e kemi dënuar sot. Edhe pse kjo maxhorancë ka 83 mandate, ka shumë halle. Jemi të qartë të gjithë se raporti i BARI-t, i ndërmjetmi, që është kyç, është bllokuar nga Brukseli, pasi ka pikëpyetje reale për situatën në Shqipëri. Kjo maxhorancë nuk mund të fshihet nga votimi që bëri në Kuvend për çështjen balluku, që ndikoi te integrimi në BE. Kjo maxhorancë që çdo të bënte kurrë avokatin ndaj askush, u kthye në mburojë politike dhe pengoi drejtësinë. Nga kjo maxhorancë është bllokuar dhe integrimi i vendit. Edhe në BE u tha; çështja Balluku është test për integrimin në BE. Shqipëria ka zero kapituj të përmbushur në 1 vit e gjysmë. Ai tha se brenda 2027 do të anëtarësoheshin, por sot tha se nuk varet nga vendi ynë, por nga shtetet e mëdha. Teksa deri dje thuhej se; PS nuk do të ishte zyrë avokatie ndaj askujt, PS me atë votim antikombëtar që bëri ndaj çështjes Balluku, shkatërroi reformën në drejtësi”, tha ajo.
