Zbardhet dëshmia e Elvis Shehut, kushëriri i biznesmenit Çajup Selimi, që u vra në Tepelenë në 1 qershor të vitit 2021. Gazetarja Klodiana Lala ka siguruar për BalkanWeb dëshminë e personit të fundit që takoi pak para vrasjes biznesmeni.
Shehu teksa dëshmoi në se seancën e radhës ndaj grupit të Laert Haxhiut, rivalit të kreut të “Bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, tha se ishte ndarë nga Çajupi vetëm 20 minuta pak para vrasjes së këtij të fundit, ndërsa shtoi se e kishte përcjellë me makinë afër banesës së tij.
DËSHMIA
Pyetje: A e njihnit Çajup Selimin?
Përgjigje: Po.
Pyetje: Çfarë mund të na thoni për vrasjen?
Përgjigje: Ngjarja ka ndodhur më 1 qershor 2021. Atë ditë kam qenë me vëllain e tij. E kam marrë Çajupin te puna e tij. Kemi bërë një shëtitje. Më pas kam marrë xhaxhain dhe një person tjetër dhe i çuam në punë. Më pas morëm rrugën drejt Kalasë. Ai më tha: “Më ço te shtëpia.”. E kam lënë te rrugica e lagjes së tij.
Rreth 20 minuta më vonë më telefonoi policia dhe më tha të paraqitesha, sepse Çajupit i kishte ndodhur diçka. Cajupin e kam kushëri. Babai e ka djalë daje.
Pyetje: A e dinit që Çajupi kishte probleme?
Përgjigje: Jo. Do ta kishim dëgjuar nëse do të kishte diçka.
Pyetje: A ka qenë ndonjëherë i shoqëruar në polici?
Përgjigje: Ndoshta në vitin 1997, por atëherë kam qenë i vogël.
Pyetje: Si njihej në komunitet?
Përgjigje: Si një njeri alegro dhe biznesmen i njohur.
