Vijon ngjarja e rëndë e ndodhur në zonën e Skelës, që ka tronditur opinionin publik. Pas dëshmisë së 42-vjeçares, e cila rrëfeu se u përball papritur me një person të veshur me rroba të zeza dhe me kapuç, i cili fillimisht e ofendoi dhe më pas e kapi fort nga fyti, duke ushtruar dhunë fizike ndaj saj, sot pjesë e emisionit ‘Me zemër të hapur’ në News24, të moderatores dhe autores Evis Ahmeti, ka folur pala e akuzuar si autor. Në një lidhje telefonike për emisionin, gruaja e personit të akuzuar nga 42-vjeçarja se ka ushtruar dhunë, pohoi se ngjarja kishte nisur më 1 prill.

“Nuk e ka dhunuar burri im atë. Nuk e kam kriminel burrin tim. Duart i ka në xhepa im shoq. Si mund të dhunojë dikush me duar në xhepa. I është ngjitur tim shoqi. Nuk i ka shkuar ky nga pas. Ajo ishte në drekë të prindërit e saj dhe po dilte nga aty. Kur pa burrin tim, ai iu ngjit. Kur dola nga komisariati, ato dy zonja, nëna e saj dhe ajo vetë, tentuan që të më qëllonin me gurë.”, tha ajo.

Një ditë më parë, denoncuesja tha se e gjithë skena ndodhi në mes të ditës dhe në sy të fëmijës, ndërsa agresori e ndoqi deri në banesën e prindërve, ku dhuna vijoi sërish. Në përpjekje për të kërkuar ndihmë, ajo tregoi se u godit në dorë dhe më pas iu mor telefoni, i cili u thye për ta lënë pa mundësi komunikimi. 42-vjeçarja ngriti gjithashtu dyshime se autori është bashkëshorti i administratores së pallatit, me të cilën banorët kanë pasur prej kohësh konflikte për pagesa të pajustifikuara. “Çështja nuk nisi në 2 prill. Nuk e ndaloi rastësisht im shoq në rrugë zonjën. Çështja nisi në 1 prill. Kur mora vajzën nga kopshti, shkova dhe i mora në kasë një akullore dhe po paguaja. Ndeshem me zonjën. Paguaj dhe më pas dal. Zonja më vjen nga pas dhe më pas më zë rrugën. Më bën skena provokuese që unë të acarohesha. E qetë e parakaloj. Pasi e kuptova që donte të më provokonte. Në heshtjen time vazhdova rrugën. E bëri prapë parakalimin. Më pas kalova vizat e bardha. Kur i kaloi ajo vizat e bardha, më ofendoi me fjalë fyese dhe më mallkoi. I thash; nuk e suportoj dot, kam që në dhjetor që më ofendojnë dy gra. Pështyrje dhe ofendime nga më banalet. Edhe në ashensor ofendonte. Të nesërmen kur flas me burrin më thotë; po vij në shtëpi Anxhela, më bëj bukë. Ai më tha e ndalova në rrugë dhe i thash; mos guxo të ndalosh gruan dhe vajzën time. Mos i ndalo më. Kam një burrë të nderuar. E di ça burri kam, se kam dhunues.”, tha ajo.

Sakaq, kunata e të akuzuarit për dhunë, tha për emisionin se asgjë nga pretendimet e zonjës, nuk është e vërtëtë. Ajo tha se ‘viktima’ i kërcënonte dhe i mallkonte.

“Nuk jemi mësuar me të gjitha situatat. Në rrëfimin që bëri zonja në fjalë, e cila tha se kur u aksidentua babai im, i ka ardhur në ndihmë. Babai im mund të jetë konfliktuar me babanë e saj. Kur dikush do më vinte dhe të më adresohej se fëmija im ka një konflikt, unë do reagoja. Në dhjetor motra ime ka ardhur dhe i ka thënë babai; zonja më thotë je hajdute. Më pas babai im iku dhe u ballafaqua me babain e saj dhe u sqaruan. U konfliktuan dhe u qetësuan në komisariat. Aty kanë folur dhe i kanë dhënë dorën njëri-tjetrit dhe u qetësuan. Arritën në një konsensus. Nuk është e vërtetë që babai im ta ketë dhunuar. Ka konfliktuar me zë të lartë me të, por jo me dorë. Vajza në fjalë, denoncuesja, ka vazhduar, pasi kam qenë vetë prezentë, ku kam shkuar 2-3 herë te shtëpia e motrës. Ajo mallkonte dhe kërcënonte. Ajo ka thënë; do ta shihni ju, ju paftë Zoti, te fëmijët. E s’dua të zë njeri me gojë se është emision. Babai im është treguar aq qytetar kur zonja ka ardhur te biznesi. Ajo i tha; të kam lënë Zotin lart. Babai im i ka thënë; më fal një minutë! Zonja: Jo nuk të fal! Zonja nuk ka nevojë të mashtrojë. Babai im nuk ka dhunuar asnjë. Nuk e kam babain dhunues.”, tha ajo.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb