“Koalicioni VLEN doli fitues në të gjitha komunat me shumicë shqiptare. Nesër nisin negociatat për qeverinë e re mes VMRO-DPMNE-së dhe Koalicionit VLEN. Urime të gjithë shqiptarëve, urime të gjithë qytetarëve”.
Kështu u shpreh kreu i partisë BESA dhe drejtuesi i koalicionit opozitar shqiptar, VLEN, Bilall Kasami në mesazhin e parë drejtuar zgjedhësve, teksa numërimi i votave po shkonte drejt fundit.
Me flamurin kombëtar të hedhur mbi sup, Kasami tha se ka ndikuar edhe mërgata që kanë ardhur për të votuar ndryshimi në Maqedoninë e Veriut, duke çuar në opozitë LSDM-në dhe BDI-në.
“Koalicioni VLEN është fitues absolut te shqiptarët. Kjo është si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve tanë. Prandaj i them 100 mijë herë “faleminderit, faleminderit, faleminderit të gjithë atyre që erdhën dhe bënë edhe njëherë ndryshimin në atdhe!”, deklaroi Kasami, kryetar i Komunës së Tetovës në Maqedoninë e Veriut.
Ai shtoi se dallimi nuk do të jetë më shumë se 10 mijë vota.