Kryeministri Edi Rama është nisur drejt Romës për një vizitë zyrtare në Vatikan, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama, si dhe nga delegacioni zyrtar.

Gjatë vizitës, kreu i qeverisë do të qëndrojë në Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso” nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë.

Pritja do të pasohet nga audienca zyrtare me Papa Leonin XIV, e cila do të zhvillohet në Bibliotekën Papnore të Pallatit Apostolik.

Programi parashikon më pas vizitë në Bazilikën e Shën Pjetrit, përfshirë ambientet e “Stanza delle Lacrime”, Cappella Paolina, Sala Reggia, Kapelën Sistine, si edhe ndalesë pranë altarit të Shën Gjon Palit II.

Në përfundim të vizitës në Vatikan, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij do të vizitojnë edhe vendvarrimin e Papa Françeskut në bazilikën “Santa Maria Maggiore”.

Në kuadër të kësaj vizite zyrtare, janë planifikuar edhe takime të tjera, mes të cilave një takim me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb