Volsjana Plasa, nëna e 4-vjeçarit që dyshohet se është dhunuar nga edukatorja në kopshtin nr. 6 në Korçë, ka rrëfyer se djali i ishte ankuar prej disa ditësh për goditje dhe mbyllje në qilar. Sipas saj, stafi i kopshtit i kishte mohuar pretendimet, duke i thënë se fëmija gënjente.
Nëna tregoi se kishte parë vetë edukatoren duke e shtrënguar djalin nga dora dhe duke i bërtitur në oborr. Ajo pretendon se gjatë përballjes i kanë marrë dhe hedhur telefonin, ndërsa ndaj saj është ushtruar edhe dhunë fizike. Pas incidentit, Plasa është drejtuar në polici dhe ka kërkuar ndjekjen e rrugës ligjore, si dhe kontrolle në kopshte për mbrojtjen e fëmijëve.
“Para katër ditësh djali më është ankuar, më ka thënë që “mësuese Xheni më godet”. Kam shkuar atje dhe u kam thënë që fëmija më ankohet. Ato më thonë që jo, sepse fëmija është ters dhe gënjen. U thashë që është fëmijë dhe nuk kam dashur ta zgjas, e mora fëmijën dhe ika. Shkoj dje në mëngjes dhe djali kishte frikë, madje më tha në prezencë të edukatores që “më goditën dhe më futën në qilar”. Ju kërkova me lutje stafit që djalin mos e fusnin në qilar, sepse është fëmijë dhe më është trembur. Nuk do të shkojë më në kopsht. Ato vazhdonin të më thoshin që djali gënjen dhe mashtron. Edhe gjatë rrugës dje më thoshte djali që të mos e çoja në kopsht, se e godiste edukatore Xheni. Kur ua thashë dje të njëjtën gjë, u hodh një mësuese tjetër në mënyrë agresive. Drejtoresha po shikonte nga shkallët dhe më kërkoi që ta takoja. Shkova dhe më tha që s’ka mundësi që fëmija të rrihet këtu. Drejtoresha mbajti anën e edukatores, duke thënë që janë shumë të mira, është ambient me kamera që shikohen dhe nga bashkia. Ndërkohë më thoshte: “Mos i beso fëmijës, çfarëdo që të thotë ai”. Shkoj për të marrë djalin rreth orës 1:30 dhe e shoh që e kishin nxjerrë në oborr. Mësuesja e kishte shtrënguar nga dora djalin e po i thërriste. U tmerrova nga ajo që pashë. I thoshte: “Pse gënjen, o mashtrues?”. Nxitoj dhe shkoj te djali, ato u shtangën. E pyeta: “Çfarë po i bën fëmijës tim?”. Fëmija im 4-vjeçar s’mund të gënjejë. Kam kërkuar drejtoreshën, por s’ka qenë atje. Isha shumë e revoltuar, si çdo nënë që sheh fëmijën në atë gjendje. Unë e lë fëmijën në kopsht, e çoj për t’u edukuar e për të mësuar. U thashë që do të përballen me ligjin. Më morën telefonin e ma hodhën, më ka vënë dorë madje. Mora fëmijën dhe shkova direkt në komisariat. Pa dhënë ende deklarimin tim, më ka marrë drejtoresha në telefon, duke më kërkuar të më takonte për t’u sqaruar. I thashë që tani e zbulova vetë dhe po mashtroni ju të kopshtit, jo fëmija im. Më kërkoi falje dhe më dha të drejtë, por i thashë që do të ndjek rrugën ligjore. Para pak ditësh fëmija kishte një shenjë të kuqe te qafa. Atje më tregoi që “më goditi mësuesja”. Ishin ditët e para dhe s’i vura shumë rëndësi, por tani e zbulova vetë. I bëj thirrje drejtorisë arsimore që të bëjë kontrolle në kopshte, sepse fëmijët janë të pambrojtur dhe të pafajshëm. Fëmija im foli edhe në prezencë të psikologes, po ata fëmijë që nuk flasin dot, kushedi sa janë dhunuar? I kërkoj drejtorisë arsimore të bëjë kontrolle, sepse në të kundërt askush nuk do t’i çojë fëmijët në kopsht.”, tha ajo.
Edukatorja Xhensila Zaimasi ndodhet tashmë pas hekurave.
