TIRANE– Një grabitje me armë zjarri është raportuar sot në Policinë e Tiranës nga një 27-vjeçar por blutë kanë zbuluar mashtrimin e denoncuesit. Për këtë arsye Shërbimet e Policisë Tiranë arrestuan shtetasin Albi Celiku, banues në Tiranë.
I riu, rreth orës 10:50, ka bërë njoftim të rremë në organet e policisë të rendit, duke njoftuar se është grabitur nga persona të armatosur të cilët i kanë vjedhur me dhunë shumën prej 500 000 lekë të reja.
Nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas shumën prej 500 000 lekë të reja e ka lënë në disa pika bastesh. Nga ana e shërbimeve të policisë janë dokumentuar dhe ambientet se ku ky shtetas ka humbur këtë shumë lekësh duke luajtur në disa pika bastesh sportive.
27-vjeçari, banor tek zona e Brrylit, kishte alarmuar policinë sot paradite duke denoncuar grabitjen por tashmë ai do duhet të përballet me një procedim për “kallëzim të rreme”.
(d.d/BalkanWeb)
