Deputeti i Partisë Demokratike, Bledjon Nallbati, ka folur mbi procesin e primareve në PD dhe rëndësinë e përfaqësimit politik, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, në News24.
Nallbati, i cili doli më i votuari në rang kombëtar në primaret e PD, shprehu mirënjohjen për mbështetjen e demokratëve dhe theksoi se politika për të nuk është një mjet për t’u bërë figurë publike, por për t’i shërbyer komunitetit.
“Nuk e kam parë politikën si mundësi për t’u bërë VIP, por si një mënyrë për të mbështetur njerëzit që më kanë përkrahur. Prisja një rezultat të mirë në Korçë, por nuk e mendoja se do të isha ndër më të votuarit në republikë. Falënderoj të gjithë anëtarët e PD që më besuan,” tha ai.
Duke folur për listat e kandidatëve për deputetë, ai theksoi se ky është një moment i rëndësishëm dhe kompleks, ku duhen marrë parasysh disa kritere, si kuotat gjinore, të rinjtë, aleatët dhe aktiviteti politik i secilit kandidat.
“Janë shumë elementë që duhen konsideruar, si angazhimi në parlament, aktiviteti politik, votat e marra në 2021. Kjo është një fazë që pritet me ethe, por do të respektohet procesi dhe kriteret,” përfundoi Nallbati.
