Ndeshja e sotme mes Hearts dhe Trabzonsporit në Ligën e Konferencës pritet të jetë një përballje me interes të veçantë edhe për futbollin shqiptar. Përballë njëri-tjetrit do të jenë dy futbollistë shqiptarë, Sabah Kerjota i skuadrës skoceze Hearts dhe Ernest Muçi, i cili luan për Trabzonsporin.
Përveç rëndësisë së pikëve në garat evropiane, vëmendjen e ka tërhequr edhe një dëshirë e veçantë e Kerjotës, pasi kërkon të sigurojë fanellën e Mohamed Salah, një prej futbollistëve që e ka pasur gjithmonë si model. Sulmuesi anësor 25-vjeçar i Hearts ka zbuluar se për këtë çështje ka kontaktuar edhe Ernest Muçin, me shpresën që pas përfundimit të ndeshjes të ketë mundësinë të shkëmbejë fanellën me yllin egjiptian. Megjithatë, pavarësisht admirimit për Salah, Kerjota e ka bërë të qartë se objektivi kryesor në udhëtimin drejt Turqisë është një rezultat pozitiv për skuadrën e tij.
“Për çdo futbollist në botë, jo vetëm për lojtarët e Hearts, Salah është një nga më të mirët. Ai është një prej heronjve të mi dhe jam përpjekur të mësoj prej tij duke e ndjekur në fushë. Kam folur tashmë me shqiptarin që luan te skuadra e tyre, me Muçin, i cili është edhe pjesë e kombëtares sonë. Shpresoj të kemi mundësi të takohemi”, ka treguar lojtari i Hearts, duke lënë të kuptohet se shkëmbimi i fanellës është një dëshirë që e ka menduar përpara sfidës.
NDESHJA- Megjithatë, Kerjota nuk dëshiron që admirimi për yllin e Trabzonsporit të marrë përparësi ndaj objektivit sportiv. Për të, më e rëndësishme se fanella e një prej futbollistëve më të njohur në botë është që Hearts të largohet me pikë nga kjo ndeshje. “Do të preferoja të merrnim tri pikët. Shpresoj që të enjten të zhvillojë një ndeshje të keqe”, është shprehur me humor Kerjota, duke treguar se në fushë dëshiron ta shohë Salah larg formës së tij më të mirë.
Përtej përballjes personale me Salah dhe duelit shqiptar me Muçin, futbollisti i Hearts e di se skuadrën skoceze e pret një provë e vështirë në transfertën ndaj Trabzonsporit. Ai ka folur me respekt për atmosferën që krijojnë tifozët turq, duke veçuar Trabzonsporin, Gallatasarajn dhe Beshiktashin si klube që luajnë përpara publikut shumë të zjarrtë. “Atmosfera do të jetë shumë e vështirë. E dimë se në Turqi, Trabzonspori, Gallatasaraj dhe Beshiktashi kanë disa nga stadiumet më të mira në botë për sa u përket tifozëve. Ne luajmë vazhdimisht kundër Rejnxhërs dhe Sëlltik. Kur këto skuadra vijnë në “Tynecastle”, përjetojmë të njëjtën atmosferë. Do të jetë një ndeshje e mirë për ne dhe shpresojmë të marrim pikë”, ka shtuar ai.
Kerjota ka theksuar gjithashtu se Hearts duhet të ruajë identitetin e vet të lojës, pavarësisht emrit të kundërshtarit dhe presionit që mund të ushtrojë publiku vendas. Sipas tij, skuadra skoceze duhet të hyjë në fushë me bindjen se mund të konkurrojë me Trabzonsporin dhe të mos kufizohet vetëm në mbrojtje. “Ne do të bëjmë më të mirën dhe do të shkojmë atje për të luajtur lojën tonë. Kemi punuar shumë për të arritur deri këtu dhe për të pasur mundësinë të luajmë kundër këtyre futbollistëve. Tani jemi këtu dhe duhet të luajmë sikur jemi në të njëjtin nivel me ta”, është shprehur futbollisti.
“Ndeshjet evropiane janë shumë të ndryshme nga ato të Premiership-it skocez. Kundërshtarët nuk e humbasin lehtë topin dhe nuk e largojnë atë pa arsye. Ata kanë forcën për të luajtur për 90 minuta në një nivel të lartë dhe ne duhet të mësojmë nga kjo. Ne ishim mirë për 80-85 minuta, por duhet të nxjerrim mësime nga ajo që ndodhi. Kur je në avantazh për një kohë kaq të gjatë dhe luan në shtëpi, dëshiron ta fitosh ndeshjen. Kishim mundësi për të shënuar edhe golin e dytë, por ky është futbolli evropian dhe gabimet ndëshkohen. Kur kalon në avantazh në ndeshje të tilla, duhet t’i fitosh ato”, ka deklaruar Kerjota.
