Në studion e “News24”, avokati Bekim Morina ka analizuar protestën e studentëve, duke komentuar edhe ndërhyrjen e policisë dhe përdorimin e dhunës gjatë zhvillimit të saj.
Gjatë intervistës, Morina u shpreh i shqetësuar për atë që e cilësoi si përqendrim të debatit te koncepti i dhunës proporcionale, ndërsa ngriti pikëpyetje për mënyrën se si policia ka vepruar gjatë protestave.
Ai theksoi se punonjësit e policisë duhet të jenë të identifikueshëm gjatë ushtrimit të detyrës dhe kritikoi rastet kur, sipas tij, persona të maskuar dhe pa shenja dalluese kanë ndaluar qytetarë dhe i kanë shoqëruar në komisariate.
Ai u ndal edhe te ndalimet e kryera gjatë ditëve të fundit, duke pretenduar se gjykatat kanë nisur t’i konsiderojnë ato të paligjshme.
Morina kritikoi ashpër përdorimin e forcës gjatë ndërhyrjeve policore, duke vënë në pikëpyetje justifikimin ligjor dhe moral të veprimeve të tilla.
“Ligji e dënon dhunën dhe e shoh shumë shqetësuese që të gjithë kanë rënë te kjo gracka e dhunës proporcionale. Çdo polic fillimisht duhet të ketë shenja dalluese. Janë të maskuar, pa asnjë shenjë dalluese që janë policë dhe rrëmbejnë njerëz i çojnë nëpër komisariate. Dhe ndalimet që janë bërë këto ditë gjykata ka filluar t’i konsiderojnë të paligjshme. Dhuna barbare që është ushtruar gjatë këtyre ditëve nuk e di çfarë justifikimi ligjor e moral mund të ketë tek ata që e kanë ushtruar. Detyra e tyre është që në momentin që konstatojnë një person që bëjnë shkelje duhet të identifikohen, jo të përdorin dhunë, por forcën për ta ndaluar. Sepse çdo veprim i dhunshëm nga ana e policisë është shkelje e ligjit”, tha ai.
