Analisti dhe kandidati për deputet në listën e LDK-së, Kreshnik Çollaku, ka komentuar situatën politike në Kosovë, duke e cilësuar atë si një krizë institucionale që, sipas tij, po rrëshqet drejt absurdit.

I ftuar në emisionin “Programi i drekës” në News24 me Ola Brukon, Çollaku tha se afati kushtetues për konstituimin e Kuvendit ka përfunduar dhe se vendi po përballet me një situatë ku institucionet nuk janë funksionale.

“Bëhet fjalë për një krizë institucionale. Parlamenti duhej të konstituohej 30 ditë pas zgjedhjeve. Dhe nëse nuk arrihet, parlamenti shpërndahet. Ky afat që përcaktoi edhe Kushtetuesja është djegur. Sot çdo institucion i Kuvendit të Kosovës, qeveria, janë jo kushtetuese. Po rrëshqet situata drejt absurdit”, tha ai.

Çollaku ngriti shqetësimin edhe për pasojat që mund të ketë kjo situatë në rast të një kërcënimi të jashtëm ndaj Kosovës. Ai vlerësoi vendimin e LDK-së për të hequr dorë nga pretendimet për qeverinë apo presidencën, duke e cilësuar këtë si një hap që mund të ndihmojë në zhbllokimin e situatës. Duke folur për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Çollaku u shpreh në favor të një figure të fortë politike, duke deklaruar se në kushtet aktuale do të ishte më mirë që vendi të kishte një figurë si Glauk Konjufca, sesa një president pa profil politik.

Çollaku paralajmëroi gjithashtu se rikthimi i vazhdueshëm në zgjedhje do të ishte një skenar shumë i rëndë për Kosovën. “Ka për të qenë apokaliptike nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje. Katër-pesë herë zgjedhje e projekton vendin si shtet kushtetues të dështuar”, përfundoi ai.

“Bëhet fjalë për një krizë institucionale. Parlamenti duhej të konstituohej 30 ditë pas zgjedhjeve. Dhe nëse nuk arrihet, parlamenti shpërndahet. Ky afat që përcaktoi edhe Kushtetuesja është djegur. Sot çdo institucion i Kuvendit të Kosovës, qeveria, janë jo kushtetuese. Po rrëshqet situata drejt absurdit. Kushtetuta e ndalon që një deputet të jetë dhe anëtar i partisë. Ndaj ata janë deputetë. Kjo është shkelje e pastër. Jemi drejt absurdit, shkarjes. Nëse Kosova ashtësohet nga një vend, nuk ka një institucion kushtetues që të marrë vendime.

Ky radikalitet politik po shkon në radikalitet social. Ndaj, për të shmangur këtë çmenduri, ka qenë dhe mbrëmë ajo sjellja e LDK-së që ka hapur rrugë dhe ka hequr dorë nga çdo pretendim për qeveri apo president. Pasi mund të shkohet deri në konflikt civil. Ata njerëz janë të pafajshëm, të pafajshëm.

Nuk mendoj se do të ketë qetësi Kosova pa u shëruar nga kjo sëmundje që e ka kapur. Se një forcë politike kërkon që t’i ketë të gjitha institucionet në dorë, të gjitha pushtetet. Këtë radhë ndodh që një forcë politike do që t’i ketë të gjitha institucionet. Loja që ndodh është: Kosova, klasa politike, opozita, janë para këtij shantazhi, ose presidentin ta marrë forca e parë që ka fituar zgjedhjet, ose një president pa ngjyrë, që zgjidhet prapë nga partia që ka fituar zgjedhjet.

Kosova nuk është Gjermania apo Malta, por ka një sovranitet të diskutuar, me territor të cenuar. Jam pro, për shembull, Konjufcës, sesa një presidenti pensionist. Nuk është Kosova në kushtet për të pasur një president në pension. Osmani dhe LDK-ja e hoqën ambicien për të qenë presidente. Dje LDK-ja e çliroi situatën në Kosovë. Sot maxhoranca nuk ka asnjë pengesë që të mos krijojë më këtë antikushtetutshmëri dhe të mos rrezikojë Kosovën. Në mendimin tim, Kosovës nuk i duhet një president pensionist, por një figurë e fortë. Ka për të qenë apokaliptike nëse Kosova shkon sërish në zgjedhje. Katër-pesë herë zgjedhje e projekton vendin si shtet kushtetues të dështuar”, deklaroi Çollaku.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: