Çështja e pronës ka qenë një nga temat më të përfolura në tre dekadat e fundit në Shqipëri dhe mbetet ende një problem i pazgjidhur, qoftë ky regjistrimi, apo grabitja e një prone deri në konflikte të mëtejshme për të njëjtin subjekt.

Pjesë e këtij trendi është edhe Ibrahim Metaliaj, një 88-vjeçar nga Dragobia e Tropojës, i cili prej më shumë së 14 vitesh endet dyerve të gjykatave për të rimarrë pronësinë e truallit të tij.

Sipas Metaliajt, tjetërsimi i pronës erdhi si pasojë e bashkëpunimit të të afërmit të tij dhe kryebashkiakut të Tropojës, Rexh Byberi, asokohe kryetar i komunës Margegaj, nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.

Ndërkohë Rexhe Byberi, kryebashkiaku i Tropojës, është një emër i njohur në publik, pasi është gjetur fajtor nga SPAK për akuzën “Shpërdorim të detyrës” për dëme ndaj buxhetit të shtetit prej gati tre milion eurosh. Po ashtu, ai është denoncuar shpeshherë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për shkelje në tendera, vlera e të cilave shkon në gati gjashtë milionë euro.

MARRJA E PRONËS
Historia e Ibrahimit zë fill në një nga zonat më historike në Shqipëri, vetëm 14 kilometra nga qyteti i Bajram Currit, në Grykën e Dragobisë, në një nga fshatrat e Malësisë së Tropojës, i cili njihet nga epika, lahuta dhe kullat trekatëshe, që dikur strehonte heronjtë legjendarë kombëtarë.

Sot, teksa turistët vizitojnë prurjen e natyrës unike të lumit Valbonë, në të vërtetë një tjetër prurje lumi rrjedh nëpër fshat: ajo e konfliktit dhe korrupsionit për pronën.

“Është neni 41 i Kushtetutës, i cili është neni bazë, themelor, që mbron pronën private dhe që patjetër e cilëson pronën private, si të paprekshme dhe të pacënueshme, gjë që vetëm kjo nuk duket të jetë në Shqipëri”, thotë për “Vetting”, avokate Anxhela Lame.

Ishte viti 1994, kur familja e Ibrahim Metaliajt doli përballë Gjykatës së Rrethit Tropojë dhe fitoi gjyqin e marrjes së truallit prej 5000 metrash katrorë. Për disa vite, ai e shfrytëzoi godinën si biznes, më pas për shkak të problemeve familjare, u detyrua ta mbyllte.

Megjithatë, në skenë del djali i xhaxhait i 88-vjeçarit, Zenun Metaliaj, i cili në vitin 2006 padit kushëririn e tij, Ibrahimin me pretendimin se nuk ka pjesëtuar pasurinë e sipërfaqes së përmendur mësipër dhe kërkonte “hakun” e tij. Ama, këtu ka një kleçkë: Zenuni i përkiste fshatit Llugaj dhe jo Dragobi ashtu si Ibrahimi.

“Unë nuk jam avokat, as prokuror, as gjyqtar, por kam dëgjuar sikur merr vendimi i gjykatës së formës së prerë është i padiskutueshëm, është mbyllur problem. Ai nuk ka as gjendje civile në Dragobi, as në kadastër në Tropojë. Atëhere si ka mundësi ai të ketë pronë në Dragobi për të shitur?”, rrëfen 88-vjeçari.

Në vendimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Tropojë përmendet se Komisioni i Tokës së fshatit Dragobi kishte vendosur me vendimin nr. 18, datë 05/11/1995, që kjo sipërfaqe të ndahej në dy pjesë, ku njëra pjesë t’i takonte Ibrahimit dhe tjetra Zenunit.

Pasi komisioni e ka pajisur me tapi toke Zenunin, po i njëjti komision nuk e ka marrë tapinë, që i kishte dhënë më parë Ibrahimit, duke bërë kështu që ky vendim të mos gjente zbatim.

Po ashtu, në atë kohë dëshmuan edhe komuna Margegaj, si dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Tropojë. Ata argumentuan se ai truall është i zënë me objekte të ndërtuara para viteve 1990, të cilat ende deri në atë kohë, ishin të paprivatizuara dhe se mbi to vepronin ligjet e privatizimit të pronës shtetëtore.

Kështu, sipas tyre, trualli i zënë nga këto ndërtime, nuk është i regjistruar dhe rezulton pronë shteti, duke e rrëzuar padinë e Zenun Metaliajt dhe duke e cilësuar pjesëtimin e tokës si të padrejtë dhe të pabazuar në ligj.

Ndonëse ligji e rrëzoi, Zenuni nuk e la me kaq. Ai u shfaq përsëri në Dragobi rreth vitit 2007, së bashku me Rexh Byberin, i cili në atë kohë ishte kryetar i komunës dhe djalin e xhaxhait të këtij të fundit, Bashkim Byberi.

Më pas, në vitin 2008, sipas Ibrahim Metaliajt, ai njoftohet nga zyrtarë lokalë se Rexh Byberi ishte drejtuar për në Kadastrën e Kukësit me dokumente të falsifikuara, për të marrë pronën e tij.

“Jam takuar me shefin e kadastrës, z. Naim Tema, ish-Kadastrës së Qarkut të Kukësit. Kam hyrë në zyrë, i thashë më jep kopjen e dokumentit, më tha “jo nuk ta jap. E kam në tavolinë por do t’ia kthej mbrapsht, se është pronë shtetërore, nuk lejohet t’ia japësh kujt, ajo pjesa në rrugë prej 3000 metrash””, rrëfen më tej 88-vjeçari.

Pas bisedës, Ibrahimi nisi të merrej me procedurat e denoncimit, në mënyrë që çdo gjë të ishte e dokumentuar dhe më vonë, bëri një kallëzim penal kundër kryetarit të asaj kohe të komunës, Rexhe Byberi.

Që në atë vit dokumentet e 88-vjeçarit, kallëzimi po ashtu, filluan rrugëtimin e tyre sa në Prokurorinë e Bajram Currit, në atë të Kukësit, ku përfunduan më vonë në Prokurorinë e Tropojës, për ta ndjekur penalisht Byberin, teksa çështja nisi të zvarritej.

Ndërkohë në vitin 2009, me shkresën numër 14, pa datë, vetëm me një firmë të Byberit, protokolluar nga komuna Margegaj, një komision i ngritur nga anëtarët Bajram Brahaj, Hazir Isufaj, Zyrah Koka, Imer Imeraj dhe Platin Cokaj, shqyrtuan godinën.

Ata konstatuan se ky objekt ka qenë i ndërtuar në vitin 1985, i papërfunduar komplet, i pashfrytëzuar asnjë ditë, i padorëzuar askujt dhe nuk kishte një roje. Ndërtimi i godinës, i përbërë prej kolonash betonarmesh, mure me tulla dhe guri, janë të dëmtuara dhe të shembura si rezultat i kushteve atmosferike.

Ata shtuan se çatia e cila ka qenë e ndërtuar me lëndë druri, është e shkatërruar komplet, ndërkohë që dyshemeja nuk duket e ndërtuar dhe dyert apo dritaret prej druri nuk ekzistojnë, së bashku me instalimet elektrikohidraulike. Për më tepër, suvatimet janë shkatërruar komplet, përsëri si pasojë e kushteve atmosferike.

Kështu, ky komision vendosi se si rezultat i gjendjes së mësipërme, ky objekt është jashtë kushteve teknike dhe është krejtësisht i dalë jashtë përdorimit. Po ky aktvlerësim u firmos nga kryetari i komunës, Rexh Byberi.

Ç’ka do të thotë këtu më tepër, mua më lind dyshimi që një zyrtar shtetëtor kërkon ta përvetësojë atë pronë, se sa më lind dyshimi që qytetari ka falsifikuar dokumenta për arsyet e veta. Pa dashur të bëj avokaten e djallit këtu, që të mbroj këto dokumenta, besoj që fillimisht duhet të ishin dërguar patjetër për verifikim të plotë dhe më pas, e adreson nëse është pronë shtetërore apo jo”, thotë avokate Anxhela Lame.

Ndërkohë, në po të njëjtin vit, pra në vitin 2009, shitja e sipërfaqes u krye midis Byberit dhe të afërmit të 88-vjeçarit, Zenun Metaliaj. Shuma që u pagua ishte prej 4 milionë lekësh.

Deri në vitin 2022, Ibrahim Metaliaj ka qenë dëshmitar i rindërtimit të godinës dhe punimeve të kryera në sipërfaqen e tokës, që ligjërisht i takonte atij me vendim të formës së prerë. Ndërkohë që 88-vjeçari është munduar ta denoncojë rastin kudo ku mund të mendohet se ka një vesh për ta dëgjuar padrejtësinë.

Sipas tij, ai e ka dërguar çështjen e tij pranë Prokurorisë së Përgjithshme, i ka shkruar Kryeministrisë, si dhe Avokatit të Popullit, Presidentit apo edhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Nga ana tjetër, kërkesa për ndihmë ka rënë në vesh të shurdhët, ndërsa vetëm një iu përgjigj: Bamir Topi. Ky i fundit ishte shprehur se çështjen e tij e kishte dërguar pranë Prokurorisë së Përgjithshme.

“Kurrfarë problemi s’u zgjidh”, shprehet më tej 88-vjeçari.

“Shpresa vdes e fundit” thonë, ndaj edhe Ibrahimi nuk hoqi dorë dhe dërgoi dhe një herë kallëzim penal ndaj kryetarit të Tropojës, Rexh Byberi pranë SPAK. Çështja më në fund u mor nën hetim, por ende nuk ka patur një përditësim rreth detajeve të fundit se në cilën fazë ndodhen hetimet për dosjen.

“Vetting” ka dërguar një kërkesë për informacion pranë SPAK, nëse çështja vazhdon të jetë ende nën hetim apo jo, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka ende një përgjigje.

Ndërkohë që në kallëzimin penal ndaj SPAK, Ibrahim Metaliaj ka akuzuar Rexh Byberin për shkelje të ligjit nr. 107/2014 duke ndërtuar pa leje për qëllime përfitimi dhe për akuzën e veprës penale “Shpërdorim të detyrës”.

Akuza të tjera i shtohen si “Shkatërrim i pronës”, si dhe “Falsifikim dokumentash”, si dhe ka akuzuar dhe Zenun Metaliajn për “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

“Në kam gjë tjetër për të thënë të kthehet prona ime, ajo është për mua. Kryetari i bashkisë, në qofte se është fajtor e di shteti, nëse jam unë fajtor, e di drejtësia, shteti. Për mua e bëfshin ministër se ai për të ruajtur, mund të ketë prona të tjera por nuk po e akuzoj se nuk e di”, thotë Ibrahim Metaliaj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb