Italia e mbyll në vendin e tretë këtë edicion të Ligës së Kombeve, medalje bronzi për “azzurrët” e Mancinit. Në finalen e vogël, Italia mposhti pa shumë vështirësi Holandën me rezultatin 3-2 ku shkëlqyen mbi të gjitha në pjesën e parë, brenda 20 minutash shënuan 2 gola të shpejtë. Dimarco realizoi një gol fantastik në minutën e 6-të me një goditje të bukur brenda në zonë. Në të 20-tën, Frattesi përfitoi nga një ping-pong në zonë duke dyfishuar shifrat.

“Tulipanët” reaguan me fillimin e pjesës së dytë duke ngushtuar shifrat në minutën e 68-të, por festa zgjati pak pasi Chiesa në të 73-tën mbylli llogaritë duke dërguar rezultatin në 3-1, një gol që vjen pas dy vitesh pritje. Goli i Wijnaldum erdhi vonë në minutën e 90-të, një gol thjesht për statistikë duke sigluar shifrat në 3-2. Në përfundim të sfidës, Roberto Mancini sheh me besim nga e ardhmja:

“Bëmë shumë mirë në pjesën e parë, por më pas, në pjesën e dytë ramë disi. Në përgjithësi besoj se ishte një ndeshje e mirë, një provë që na dha sinjale pozitive, kemi zgjidhje për të zhvilluar një lojë interesante”, theksoi Mancini.
“Italia, një buzëqeshje”, shkruan Corriere dello Sport. “Mirëmëngjesi Chiesa. Më në fund një Itali e bukur. Thyen Holandën 3-2 dhe siguruan vendin e tretë në Ligën e Kombeve”, shkruan TuttoSport në faqen e parë.
(BalkanWeb)
