Për dy netë radhazi shëtitorja në Sarandë ka gumëzhirë nga zërat e shumtë, pjesëmarrës në festën e organizuar për çeljen zyrtarisht të sezonit veror 2025. “Saranda Fish Festival”  në edicionin e tij të dytë. Ishte një event kulinar që tashmë po kthehet në traditë  për qytetin bregdetar. Nën tingujt e muzikës dhe aromën karakteristike të kuzhinës së detit, shëtitorja e Sarandës u mbush me qytetarë dhe turistë të shumtë, të ardhur për të shijuar atmosferën e festës. Pjesë e festimeve në këtë çelje sezoni ishte edhe një delegacion nga Mentoni i Francës që kryesohej nga nënkryetari i bashkisë së Mentonit, Jean Claude Alarcon, titullarë të pushtetit vendor dhe disa nga shefat më të mirë të kuzhinës franceze.

-“Këtë vit, festivali mori një vëmendje të veçantë edhe falë pjesëmarrjes së një delegacioni zyrtar nga qyteti francez i Mentonit, një ndër qytetet më të njohura të rivierës franceze, me të cilin Saranda ka nisur procesin e binjakëzimit, i kryesuar nga nënkryetari i saj, Jean Claude Alarcon, tha mes të tjerave kryetari i bashkisë së Sarandës, Oltion Çaçi.

Shqipëria çdo vit pret më shumë rritje numrash, shifrash vizitorësh të huaj, zgjatjen e sezonit turistik. Saranda është mbretëresha e turizmit shqiptar dhe e nis e para dhe e përfundon e fundit në gjithë bregdetin shqiptar. Për herë të parë Saranda po krijon një bashkëpunim me një qytet të rivierës franceze, sepse janë qytete që ngjajnë shumë me njëra – tjetrën, si për nga natyra, si për nga bukuria, deti dhe patjetër që ne kemi çfarë të marrim prej Mentonit. Për fat të madh nënkryetari i bashkisë së Mentonit është një edhe një mik i shqiptarëve, jo vetëm i Sarandës. Vendosi që të bëjmë një marrëveshje dhe një binjakëzim mes dy qyteteve. Për herë të parë ka sjellë edhe një delegacion të shefave më të mirë të kuzhinës franceze, të cilët do të krijojnë një bashkëpunim me shefat shqiptarë për rritjen e cilësisë së kulinarisë,  e cila është një armë kryesore e tregut shqiptar. Shpresojmë që këto ditë të sjellin zhvillime për të gjithë ne.

Ndërsa nënkryetari i Bashkisë së Mentonit Jean Claude Alarcon, i emocionuar nga mikpritja, u shpreh: “Sa herë vij në Shqipëri, e kam zemrën kuq e zi. Ndihem i emocionuar dhe i impresionuar nga Saranda, një qytet me potencial të jashtëzakonshëm.”

Në “Saranda Fish Festival” morën pjesë shumë prej restoranteve të qytetit, të cilët prezantuan pjata të ndryshme me bazë peshkun dhe produktet e detit.

Festivali i peshkut është shumë i rëndësishëm për qytetin e Sarandës, veçanërisht edhe për restorantin tonë dhe mundësi e mirë për të gjitha restorantet për t’u promovuar dhe ofruar produktet tona të veçanta. ‘Ne ofrojmë kryesisht produkte të veçanta të peshkut’, na tha një tjetër pjesëtare e Festivalit të Peshkut në Sarandë.

Mes veprimtarive të shumta të këtyre netëve magjike në çeljen e sezonit turistik në Sarandë ishte edhe ekspozita që pasqyronte rëndësinë e detit dhe peshkut por edhe të marinës në Sarandë. “Kjo ekspozitë synon që të kthejë në vëmendjen e qytetarëve një pjesë të rëndësishme të Sarandës që janë marinarët”, na tha Enola Bejko, këshilltare ligjore pranë Bashkisë Sarandë

“Kjo ekspozitë synon që të kthejë në vëmendjen e qytetarëve një pjesë të rëndësishme të Sarandës që janë marinarët. Sivjet ekspozita erdhi në një formë më dinamike, duke u marrë kryesisht me jetën e tyre, me emocionet që ata kanë përjetuar në det dhe çfarë i ka lidhur ata pazgjithmërisht me detin.Qasja e ekspozitës përveç pjesës së narrativës historike për evolucionin e marinës shqiptare dhe kryesisht të qytetit të Sarandës është ndërthurrur me historitë e tyre personale dhe përvojat e tyre me jetën e tyre. Është një kujtesë për të gjithë ata që shpirtin e kanë akoma të lidhur me detin dhe që kanë dhënë çdo gjë në det dhe që kthehen sërish e sërish pranë tij. Ekspozita është e përbërë nga disa seksione. Një seksion është me fotografitë e marinarëve sot por edhe me foto kur ata ishin duke ushtruar detyrën e tyre. Në ekspozitë janë edhe filmime nga copëza jete nga jeta e tyre dhe çfarë kanë përjetuar ata në det dhe një pjesë tjetër që është për një moshë pak më të re që është interaktive me një pyetje e cila lëviz dhe që përgjigjen e të cilës mund ta japë secili nga vizitorët e kësaj ekspozite. Ajo që ne dëshironim të sillnim përmes kësaj ekspozite ishte që kujtimet e tyre t’i bënim të prekshme për secilin prej vizitorëve dhe të japim një mesazh që duke qenë se janë mes nesh nuk do harrohen asnjëherë dhe kanë një vlerë të jashtëzakonshme për qytetin tonë, qytetarët dhe jo vetëm për familjet e tyre”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb