Ishte një sezon që po shkonte drejt dështimit total, por në fund Juve e mbyll me trofe. Pasi siguruan prezencën në Champions League, “Zonja e Vjetër” triumfoi edhe në finalen e Kupës së Italisë, për Allegrin ky ishte trofeu i tij i 5-të, një rekord personal. Pavarësisht se ishte shpërthyes përpara dhe pas përfundimit të finales, Allegri në fund u shfaq i lumtur për këtë trofe:

“Jam shumë i lumtur për djemtë, bënë një punë të mirë duke i dhuruar tifozëve dhe shoqërisë pak gëzim. Të fitosh nuk është kurrë e lehtë, por kjo është në ADN e Juves”, theksoi Allegri duke bërë më pas një koment të qartë në lidhje me të ardhmen e tij në krye të ekipit:

“Të shumtë janë ata që më shohin jashtë Juves. Nëse vitin tjetër nuk do të jem më trajner i kësaj skuadre do të kem lënë një ekip të fortë dhe fitues. Shoqëria do të bëjë vlerësimet e veta, ka të drejtë të vendos, ka të drejtë të ndryshojnë trajner dhe lojtarë”, theksoi trajneri i “Zonjës së Vjetër” duke u ndalur më pas te reagimet e tij, ndaj gjyqtarit dhe ndaj drejtorit sportiv:

“Në fund të ndeshjes po festoja me skuadrën. Unë e respektoj shoqërinë dhe drejtuesit. Juve duhet të fitojë, pjesa tjetër nuk ka rëndësi. Në fund të ndeshjes doja thjesht të festoja me djemtë e mi të cilët kanë zhvilluar një sezon të rëndësishëm. Pas humbjes kundër Inter kaluam tre muaj ku lëkura u bë shumë e rëndë, por në fund arritëm atë që duhej, Champions dhe Kupën e Italisë”, përfundoi Allegri.

Mediat italiane e bëjnë të kryer largimin e tij, madje La Repubblica zbardhi fjalët e Allegrit drejtuar drejtuesve: “Keni një vit që e dini dhe nuk e treguat të vërtetën”. E vërteta sipas mediave është se Juventus e ka mbyllur me Thiago Motta-n do të jetë ai trajneri i ri i Juves, ndërsa në Torino do të qëndrojnë Vlahovic dhe Chiesa, parimisht kanë gjetur akordin total për të rinovuar kontratat e tyre respektive.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb