E ftuar në emisionin “Alert” në News24, Nada Dollani, eksperte dhe pedagoge në Fakultetin e Drejtësisë foli për risitë që sjell Ligji i ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, duke u ndalur te rregullimi i marrëdhënieve mes konsumatorëve dhe tregtarëve, tregtia digjitale dhe sfidat e zbatimit të tij.

Dollani theksoi se në një shoqëri konsumi, ku marrëdhëniet mes blerësve dhe tregtarëve janë të përditshme dhe të vazhdueshme, ishte e domosdoshme krijimi i një kuadri të ri ligjor. Sipas saj, ligji i mëparshëm nuk i përgjigjej më zhvillimeve të teknologjisë dhe realitetit të tregut, ndërsa kishte edhe mangësi në zbatimin e dispozitave të tij.

Një nga ndryshimet kryesore të ligjit të ri lidhet me tregtinë digjitale dhe marrëdhëniet që krijohen përmes platformave online. “Zhvillimet teknologjike kanë sjellë forma të reja tregtimi dhe sfida për mbrojtjen e konsumatorëve, ndaj legjislacioni i ri synon të vendosë rregulla më të qarta për të gjitha palët e përfshira” tha Dollani.

Dollani tha se ligjit i është lënë një periudhë 6-mujore përpara hyrjes në fuqi, në mënyrë që tregtarët të kenë kohën e nevojshme për t’u njohur me kërkesat e reja dhe për të përshtatur aktivitetin e tyre me detyrimet ligjore.

Dollani u ndal edhe te kompleksiteti i këtij legjislacioni, i cili përfshin 14 direktiva dhe rregullore të Bashkimit Europian, të reflektuara në 15 akte. Sipas saj, bëhet fjalë për një kuadër teknik dhe të detajuar, që synon të parashikojë sa më shumë situata të mundshme në marrëdhënien mes konsumatorit dhe tregtarit, veçanërisht në kushtet kur tregtarët përdorin forma gjithnjë e më inovative të shitjes.

“Gjatë konsultimeve, disa nga palët e interesit kanë ngritur shqetësime për gjuhën teknike të ligjit. Megjithatë, ky detajim është i nevojshëm për të garantuar zbatimin e rregullave nga tregtarët dhe institucionet shtetërore përgjegjëse”

Sa i përket sfidave, Dollani vuri theksin te nevoja për staf të trajnuar dhe teknologji të avancuar, veçanërisht për monitorimin dhe mbikëqyrjen e aktivitetit tregtar. Përveç kontrollit institucional, ajo nënvizoi rëndësinë e ndërgjegjësimit të konsumatorëve, të cilët duhet të njohin të drejtat e tyre.

“Tregtari do të ketë një afat prej 15 ditësh për t’iu përgjigjur ankesës së konsumatorit, duke krijuar një mekanizëm më të qartë komunikimi dhe përgjegjshmërie mes dy palëve”.

Me këtë kuadër të ri ligjor synohet që marrëdhënia mes konsumatorit dhe tregtarit të jetë më transparente dhe më e rregulluar, por efektiviteti i tij do të varet nga zbatimi konkret, kapacitetet mbikëqyrëse dhe ndërgjegjësimi i qytetarëve për të drejtat që u garanton ligji.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb