Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka njoftuar sot se janë bërë disa ndryshime në procesin e shpërndarjes së zarfeve me fletët e votimit për shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.
Sipas tij, për të garantuar më shumë siguri dhe efikasitet, janë shtuar faza kontrolli si nga KQZ ashtu edhe nga kompania shpërndarëse DHL, çka ka sjellë një shtyrje të afateve për dorëzimin e fletëve, pa ndikuar në cilësinë apo integritetin e procesit.
Celibashi ka sqaruar gjithashtu se njoftimi me një shënim në rast se zgjedhësi nuk gjendet në banesë, është zëvendësuar tashmë me një njoftim nëpërmjet një mesazhi në telefon apo emaili.
Gjithashtu votuesit do të kenë mundësinë që fletën e votimit ta tërheqin vetë pranë zyrave të DHL në zonën përkatëse.
“Kemi shtuar si KQZ kontrollin , një fazë tjetër të saj dhe kompani DHL ka bërë të njëjtën gjë, kjo na ka çuar në shtyrjen e afateve për dorëzimin e fletëve të votimit, por kjo nuk cënon procesin.
Ne shpresojmë që në 2 ditë, por në rastin më ekstrem brenda javës të përfundojë procesi i dërgimit.
Disa procese pune janë modifikuar gjatë rrugës për të rritur eficencën dhe garancinë.
Zgjedhesit nga jashtë do të njoftohen nga DHL jo vetëm nëpërmjet lënies së një shënimi. Në mënyrë të unifikuar zgjedhjeve të unifikuar do t’u komunikohet me mesazh telefonik apo email se kur u mbërrin zarfi, dhe nëse nuk mund ta presin në banesë, mesazhi do të përmbajë të dhënat në lidhje me vendndodhjen e zyrave ku mund të shkojnë ta tërheqin.
Kjo besojmë se rrit eficencën dhe mundësinë për shpërndarjen 100 për qind të fletëve të votimit”, tha ai.
(BalkanWeb)
