Lando Norris do të hyjë në histori, me çdo kusht. Si për ironi të fatit, në Çmimin e Madh të Katarit, gara e parafundit e sezonit 2025, britaniku do të bëhet piloti me më shumë paraqitje në historinë e MekLarenit, një prej skuadrave legjendare të Formulës 1, ku kanë shkëlqyer emra si Prost, Sena, Hamilton, Alonso apo Hakinen.
Por nën dritat verbuese të pistës së Katarit, Lando mund të realizojë ëndrrën e tij të madhe: të shpallet kampion bote në Formula 1. Për ta arritur këtë, duhet të kalojë pa probleme garën gjithmonë të paparashikueshme të Las Vegasit, por Norris po kalon formën më të mirë të karrierës dhe duket pothuajse perfekt pas dy garave pa gabime. Avantazhi i tij prej 24 pikësh ndaj Oskar Piastrit dhe 49 ndaj Maks Vershtapenit e tregon qartë.
NGA KRIZA NË NGRITJE Është historia e një rikthimi të madh. Piloti nga Bristoli pati një gjysmë sezoni të parë të trazuar: ishte i shpejtë, por përjetoi momente të vështira, si përplasja me Piastrin në Kanada për shkak të agresivitetit të tepruar, apo prishja mekanike në Zandvort. Nga ajo garë në Holandë doli me 34 pikë disavantazh, dhe vetëm fati e hpëtoi që diferenca të mos zgjerohej në Itali, pas një ndalese të ngadaltë të mekanikëve të tij.
Por gjithçka ndryshoi, si piloti, ashtu edhe MekLareni. Tani Norris udhëheq me 24 pikë avantazh, duke ndalur në vend një Vershtapen heroik. Megjithatë, Lando nuk e nënvlerëson kampionin në fuqi. “Në Brazil ai ishte pak më i shpejtë. Nuk mund ta përjashtosh Vershtapenin, edhe kur vjen nga pas. E rregulluan makinën dhe ishte më i shpejti në garë”, tha Norris. 25-vjecari gjithashtu e pret me kujdes garën e Las Vegasit, një pistë e thjeshtë me drejtime të gjata dhe pak kthesa, por me temperatura të ulëta që shpesh i krijojnë probleme MekLarenit. “Nuk kemi qenë kurrë mirë aty. Pse duhet të mendoj se këtë herë do të jetë ndryshe?”, shprehet lideri i kampionatit.
LLOGARITË JANË TË QARTA Norris e di saktësisht çfarë i duhet dhe tani kërkon vetëm të ruajë ritmin: mjafton të dalë i dyti në çdo garë dhe sprint të Katarit, pavarësisht se çfarë bëjnë Piastri apo Vershtapeni. Nëse ia del, do të shkruajë histori. Që nga sezoni 2012, kur Sebastian Fetel mori kryesimin në Kore nga Fernando Alonso, asnjë pilot nuk kishte hyrë si lider në pesë garat e fundit të një sezoni. Në epokën hibride, kjo nuk ishte parë kurrë… deri tani, me Norrisin në një formë të frikshme. “Kemi përmirësuar shumë gjëra këtë vit. Nuk dua të jem negativ, por ende ka aspekte që duhet t’i vëzhgojmë me kujdes. Katari dhe Abu Dabi do të jenë garat ku duhet të përqendrohemi, ndërsa Las Vegasi pak më pak, është një nga garat tona më të dobëta në dy sezonet e fundit. Do të presim e do të shohim”, përfundoi Norris.
