Në kulmin e kaosit, deklaratave të forta, paqartësive në lidhje me të ardhmen, Real Madrid rikthehet te fitorja, me ekipin e Arbeloa-s që triumfoi 2-0 përballë Oviedo-s. Më shumë se sa ky rezultat, ajo që bëri përshtypje ishte ulja në stol e yjeve si Mbappe dhe Bellingham. Pas disa përpjekjeve, në fundin e pjesës së parë, në minutën e 44-të, Gonzalo Garcia me një goditje të saktë brenda në zonë zhbllokoi ndeshjen.

Në fraksionin e dytë, Arbeloa hodhi në fushë Mbappe-Bellingham dhe ishte pikërisht kjo dyshe që gatoi golin e dytë për Real Madrid, me mesfushorin anglez që tundi rrjetën në minutën e 80-të. Pavarësisht rezultatit, në “Bernabeu” nuk munguan vërshëllimat për lojtarët, mbi të gjithë Mbappe. Për të ndezur edhe një herë Madridin mendoi sërish sulmuesi francez, i cili pas ndeshjes zbuloi ata që Arbeloa i kishte thënë:

“Trajneri më tha se për të jam sulmuesi i katërt në grup. Unë isha gati të luaja që nga minuta e parë, por vendimi në fund i takon trajnerit. Më duhet të respektoj vendimin e trajnerit. Nuk më mbetet gjë tjetër vetëm të punoj më shumë që të jem më i mirë se Vinicius, Mastantuonos dhe Gonzalo”, u shpreh Mbappe me ironi.

Më pas ylli francez theksoi se i kupton tifozët që e vërshëllyen, kjo ndodh shpesh në Madrid me lojtarët e famshëm. Në fund, “gjeli” më i famshëm bëri dhe një bilanc të sezonit:

“E nisëm mirë, por më pas humbëm identitetin dhe stilin e lojës. Të mbyllësh sezonin pa trofe të bën të ndihesh keq, por nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të pranojmë kritikat dhe të shohim përpara, të nisim gjithçka nga e para me shumë ambicie”, theksoi Mbappe.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb