Artur Zheji u nda nga jeta, duke lënë pas një boshllëk të madh në mediat shqiptare dhe në zemrat e miqve të tij.
Sipërmarrësi Kadri Morina, një mik i afërt i tij prej dy dekadash, ndau me dhimbje kujtimet për gazetarin e njohur.
Ai tregoi për News24 sesi kafenë e fundit që kishin planifikuar, nuk arritën kurrë ta pinin bashkë. Për Morinën, Zheji ishte një patriot i vërtetë dhe një njeri me ndikim të madh në çështjen kombëtare.
Sipërmarrësi Kadri Morina: Udhëtova për Gjenevë dhe z Zheji më tha se pas 2 ditësh do të pimë një kafe. Ai më shkroi mesazh se po iki për pushime dhe sapo të kthehem, do e pijmë një kafe, e atë kafe fatkeqësisht nuk e pimë kurrë. Kështu më ndodhi edhe me Ismail Kadarenë. Artur Zhejin e kam njohur personalisht prej 20 vitesh. Zheji kishte emision që dha shumë për Kosovën. Zheji ishte njeri impresionues. Gjithmonë i kujtoja emisionin “Luftë apo paqe” që bënte për Kosovën dhe më thoshte se ka edhe më shumë për të bërë për çështjen kombëtare.
Ai ishte patriot i vërtetë. Zheji ishte i rezervuar për të thënë të vërtetën, por kur e thoshte, e thoshte tamam. Ngushëllime edhe njëherë familjes. Por, Zheji nuk do i mungojë vetëm familjes, por do na mungojë të gjithëve.
(BalkanWeb)
