Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në prezantimin e librit të diplomatit të njohur amerikan, Christopher Hill, ku ndau disa prej përshtypjeve të tij personale dhe profesionale për ish-ambasadorin në rajon. Rama tregoi se emri i Hill-it i ishte përmendur për herë të parë në një mënyrë jo fort të zakonshme.

“Kur dëgjova për herë të parë për Chris Hill, më thanë se ishte personi që çoi Fatos Nanon në burg. Ishte një mënyrë mbresëlënëse për të lënë pas emrin, sepse kishe hyrë në Shqipëri, kishe çuar dikë në burg dhe ishe larguar”, tha Rama me ironi.

Megjithatë, Kryeministri u shpreh se shumë shpejt krijoi një opinion krejt tjetër për diplomatin amerikan. Ai e cilësoi Hill-in si ndoshta të vetmin ambasador amerikan në Ballkan që “nuk e kupton rajonin nga distanca, por nga brenda”, duke theksuar se ai e ka jetuar Ballkanin në çdo kënd, pothuajse duke përshkuar gjithë hartën e tij diplomatike.

Rama tregoi se takimi i tyre i parë i kishte lënë një mbresë të veçantë: “Nuk mu duk si njeri që burgoste njerëzit e opozitës. Më bëri përshtypje mënyra si dëgjonte – një virtyt që, për të thënë të vërtetën, nuk është i zakonshëm te ambasadorët amerikanë. Ata janë shumë të mirë për të folur, por jo fort për të dëgjuar.”

Duke folur për rolin e diplomacisë amerikane në rajon, Rama solli në vëmendje edhe mendimet e Arben Xhaferrit për “strabizmin etno-politik” të popujve të Ballkanit, si edhe vëzhgimin e Hill-it se “në Ballkan nuk ka sekrete, është një vend shumë i vogël”. Sipas Ramës, sfida kryesore në këtë rajon nuk ka të bëjë vetëm me atë që ka ndodhur, por me “variantin e ngjarjeve që mbizotëron” – shpesh i ndikuar nga fuqia dhe pesha e diplomacisë amerikane.

Në vijim, Kryeministri u ndal te roli i ambasadorëve amerikanë në Shqipëri, duke e cilësuar atë si “punën e dytë më të mirë për një amerikan, pas të qenit President, sepse këtu je perëndi”.

Ai vlerësoi Hill-in për kujdesin, maturinë dhe qasjen e tij të përulur në detyrë. Rama kujtoi edhe periudhën kur Hill shërbente në Beograd, të cilën e përshkroi si “vendin më të vështirë për një ambasador amerikan në Ballkan”, duke nënvizuar se roli i tij në formësimin e ngjarjeve në Serbi kishte qenë vendimtar “në një periudhë kur ai vend iu afrua më shumë se kurrë diçkaje që Perëndimi nuk do ta kishte dëshiruar”.

Në përfundim, Rama theksoi se marrëdhënia e tij me Hill-in është konsoliduar me kalimin e viteve dhe se ai mbetet një ndër diplomatët më të rëndësishëm e më të kuptueshëm për realitetin e ndërlikuar ballkanik.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb