Një 41-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se i ka grabitur me dhunë çantën një shtetaseje gjermane, duke e kërcënuar me thikë, në zonën e Liqenit Artificial.
Policia e Tiranës bëri të ditur se operacioni, i koduar “Reaction”, u finalizua pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të efektivëve të Komisariatit të Policisë Nr. 1. Në pranga ka rënë shtetasi J. S., 41 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, ngjarja kishte ndodhur një ditë më parë, kur 50-vjeçarja gjermane me inicialet T. K. u përball me autorin, i cili dyshohet se i mori me dhunë çantën me sendet personale dhe e kanosi me thikë.
Pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit Nr. 1 nisën menjëherë veprimet për identifikimin e autorit. Në vijim, 41-vjeçari u identifikua, u kap dhe u ndalua, ndërsa sendet e vjedhura u gjetën dhe iu kthyen shtetases gjermane. Një ditë pas ngjarjes, 50-vjeçarja u paraqit në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 1 për të falënderuar efektivët që u angazhuan për zbardhjen e rastit.
Ajo shprehu mirënjohjen për reagimin e shpejtë të policisë, identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, si dhe rikthimin e sendeve të saj personale. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.
