Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi (FSB) ka ndaluar një të mitur, i cili dyshohet se është i përfshirë në hetimet për kërcënimin e një sulmi terrorist në Parkun dhe Muzeun Tsaritsyno në Moskë. Autoritetet ruse bëjnë me dije se ndalimi u krye pas një informacioni urgjent të marrë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kishin paralajmëruar për përgatitjen e një sulmi të mundshëm.

FSB konfirmoi se kishte marrë informacionin nga pala amerikane përmes kanaleve të komunikimit mes dy shërbimeve dhe deklaroi se po merrte masat e nevojshme. “Jemi mirënjohës ndaj palës amerikane për informacionin”, thuhet në deklaratën e shërbimit rus të sigurisë.

Gjatë hetimeve, autoritetet kanë zbuluar fotografi të publikuara nga i mituri në rrjetin social TikTok, ku ai shfaqet me veshje ushtarake, kapuç dhe një objekt që ngjan me armë automatike. Në një tjetër fotografi, ai shihet në ambientet e Muzeut Tsaritsyno, të cilën e kishte shoqëruar me mbishkrimin “Gjeta një vend”.

Sipas FSB-së, në telefonin e të ndaluarit është gjetur gjithashtu një abonim në një kanal neonazist në Telegram, ndërsa historiku i kërkimeve përmbante materiale lidhur me akte terroriste dhe vrasje masive. Autoritetet ruse nuk kanë dhënë ende detaje të tjera mbi identitetin e të miturit apo akuzat konkrete që mund të ngrihen ndaj tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb