Protestës masive që po zhvillohet në kryeqytet po i bashkohen edhe shumë qytetarë nga rrethet. Një protestues i ardhur nga Vlora ka folur për News24, duke shpjeguar se kjo është hera e tretë që udhëton drejt Tiranës për të ngritur zërin kundër asaj që ai e quan “shitje të trojeve shqiptare” nga ana e kryeministrit Edi Rama.

Ai u shpreh i revoltuar me menaxhimin e vijës bregdetare dhe pronave, duke bërë thirrje për reagim mbarëpopullor.

“Sot kam ardhur me një dëshirë që ka çdo shqiptar. Unë vij nga Vlora, është hera e tretë që vij në Tiranë, vij këtu për trojet shqiptare. Nuk më pëlqen mënyra si kryeministri ka nisur të shesë çdo tokë shqiptare. Për këtë gjë kam ardhur dhe e kundërshtoj me çdo gjë këtë,” tha ai.

Më tej, qytetari vlonjat i drejtoi një mesazh të prerë kreut të qeverisë, duke i kujtuar historinë dhe reagimin e qytetit të tij bregdetar kur preken interesat e vendit.

“U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve dhe gjithë Vlorës që të vijnë për një kauzë të vërtetë dhe t’i japim një mesazh Edi Ramës, që me Vlorën duhet t’i bëjë mirë hesapet se vlonjatët nuk flenë gjumë, por do jetë momenti i fundit që do e marrë vesh kur të jemi këtu. Nuk është kërcënim,” nënvizoi protestuesi.

Në mbyllje të fjalës së tij, ai kërkoi që investimet në bregdet të bëhen në mënyrë të përgjegjshme dhe duke respektuar natyrën, e jo duke e tjetërsuar atë.

“Nëse do të zhvillosh Vlorën, qëndroji çdo bregdeti duke investuar, duke e mbrojtur çdo vend. Bëj një investim, por sipas organizimit natyror që ajo ka,” tha ai, duke nënvizuar se protestuesit kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të Edi Ramës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb