“Zyra e Prokurorit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi pezullimin e një figure kyçe në qeverinë e Ramës, zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Zyra e Prokurorit e akuzoi atë për “shkelje të barazisë në tenderët publikë”, kështu shkruan prestigjiozja spanjolle “El Pais”.

“El Pais” i ka kushtuar një artikull të gjerë, ndërsa e nis shkrimin me titullin; “Laboratori i Evropës ku Inteligjenca Artificiale lufton ose fsheh korrupsionin”.

E fokusuar edhe te “Diella” e cila u prezantua me shumë entuziazëm nga kryeministri Rama, në artikull evidentohen një sërë problematikash.

Më tej artikulli i “El Pais” vijon;

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama di si ta tërheqë vëmendjen drejt vendit të tij.

Ish-basketbollisti i kombëtares, prezantoi “Diellën”, një ministre praktikisht përgjegjëse për prokurimin publik, vetëm shtatorin e kaluar. Kreu i Partisë Socialiste të Shqipërisë, i cili ka qenë në detyrë për më shumë se 12 vjet dhe tani po shërben mandatin e tij të katërt, fitoi zgjedhjet e vitit 2025 duke premtuar anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE deri në vitin 2030.

Për të arritur këtë qëllim, luftimi i korrupsionit është thelbësor një nga kërkesat kryesore të Brukselit për vendin me 2.3 milionë banorë, i cili zyrtarisht filloi negociatat e pranimit në BE katër vjet më parë.

Duke prezantuar iniciativën, Rama sqaroi: “Ne nuk po ia delegojmë “Diellës” përgjegjësinë e qeverisjes apo të marrjes së vendimeve përfundimtare. Po i japim asaj përgjegjësinë për të bërë atë që bën më mirë; përpunimin e shpejtë të të dhënave dhe dhënien e përgjigjeve shumë të shpejta…Tenderët publikë do të jenë 100% të lirë nga korrupsioni.”

Gjithashtu në artikull trajtohen edhe shqetësimet e opozitës dhe akuzat e ngritura herë pas herë.

El Pais shkruan se Opozita i pyeti anëtarët e Partisë Socialiste në qeveri; “Kë do të arrestojë policia nëse ky ministër bën një gabim ose lehtëson mashtrimin? Programuesin?”

Diella, emri i së cilës do të thotë “Diell” në shqip, iu përgjigj disa kritikave nga ekrani i saj në parlament: “Ndryshe nga njerëzit, unë nuk kam të afërm për të favorizuar, as miq për t’u dhënë kontrata dhe as emocione për të më turbulluar gjykimin në lidhje me të dhënat publike. Besnikëria ime është matematikore.”

Rama në përgjigjen e tij u shpreh: “Teknologjia nuk ka miq, nuk e pranon kafenë dhe nuk ka frikë nga hakmarrja”.

Ai pohoi se algoritmi do ta kapërcejë “nepotizmin strukturor” të vendit.

“Ne jemi një vend kushërinjsh nuk është e lehtë të kesh ndërveprime plotësisht të drejta dhe transparente në një vend kushërinjsh”, tha ai në një intervistë me The New York Times në janar.

Mediat ndërkombëtare raportuan gjithashtu për emërimin e Ministres Diella. Por shumë shqiptarë shprehën mosbesimin e tyre. Midis tyre ishte Jorida Tabaku, anëtare e parlamentit për Partinë Demokratike dhe kryetare e Komitetit të Çështjeve të BE-së.

“Nëse sistemit që përdor këto mjete i mungon integriteti, Inteligjenca Artificiale rrezikon të bëhet një kuti e zezë që centralizon pushtetin në vend që të ekspozojë abuzimet”, deklaroi ajo.

Vetëm dy muaj pasi Diella u emërua në Kabinet, Zyra e Prokurorit të Posaçëm kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) kërkoi pezullimin e një figure kyçe në qeverinë e Ramës, zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Zyra e Prokurorit e akuzoi atë për “shkelje të barazisë në tenderët publikë”. Çështja shkoi në Gjykatën Kushtetuese, e cila më 6 shkurt e skualifikoi atë nga mbajtja e një detyre. Rama e kritikoi vendimin dhe refuzon të lejojë parlamentin të heqë imunitetin e krahut të tij të djathtë, e cila është gjithashtu ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërkohë, skepticizmi shqiptar ndaj Inteligjencës Artificiale u shndërrua në zemërim kur SPAK vendosi projektuesit e Diella-s në arrest shtëpiak: Mirlinda Karçanaj, drejtoreshë e Agjencisë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI) – organi që menaxhon infrastrukturën dixhitale të shtetit – dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi.

Gjashtë persona të tjerë u akuzuan gjithashtu për korrupsion, përfshirë një zëvendësshef policie dhe tre biznesmenë.

Çështja kundër tyre përfshin akuza që variojnë nga manipulimi i tenderëve publikë deri te rrëmbimi dhe kërcënimi i sipërmarrësit të teknologjisë Gerond Meçe për ta detyruar atë të tërhiqet nga një proces prokurimi publik.

Në këtë kontekst, më 24 janar disa parti opozitare bënë thirrje për protesta që kulmuan me hedhjen e molotovëve në zyrën e kryeministrit. Demonstratat, të udhëhequra nga Partia Demokratike, vazhduan më 10 dhe 11 shkurt jashtë zyrës së Ramës, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Nga ana tjetër aktorja Anila Bisha, ngjashmëria dhe zëri i së cilës shërbyen si bazë për dizajnin e avatarit, ka paditur qeverinë për përdorim të paautorizuar të imazhit të saj.

“Propagandë e pastër”, kështu vijon më tej shkrimi i prestigjiozes “El Pais”, ndërsa sjell në vëmendje edhe qëndrimet e kreut të Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi.

Gazment Bardhi, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, e përshkroi ministrin virtual si “propagandë të pastër” në një intervistë telefonike.

“Ata që krijuan Diellën akuzohen zyrtarisht për korrupsion, rrëmbim dhe shkelje të rregullave të tenderimit. A kishin vërtet ndërmend të luftonin korrupsionin?  SPAK ka akuzuar zëvendëskryeministrin në lidhje me 11 kontrata me vlerë 1.1 miliardë euro. Në një qeveri të korruptuar, asnjë algoritëm nuk mund ta zgjidhë problemin”, argumentoi ai.

Mosbesimi ndaj qëllimeve të mira të qeverisë shtrihet përtej partive opozitare.

Azmer Duleviç, një inxhinier dhe aktivist i pavarur, mori pjesë në protestat e janarit me një pankartë ku shkruhej: “Koka e peshkut është e kalbur”; korrupsioni fillon nga lart.”

Duke folur nga Tirana, deklaroi: “IA nuk është ilaç për të gjitha problemet. Besueshmëria e saj varet nga të dhënat e pastra, mbikëqyrja e paanshme dhe vullneti i vërtetë politik.”

Kjo gazetë është përpjekur të marrë një deklaratë nga qeveria Rama, por nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Andi Hoxhaj, një ekspert i ligjit për Ballkanin Perëndimor në King’s College London, thekson se Diella synon të zbulojë dhe parandalojë parregullsitë midis kompanive që marrin pjesë në tendera publikë dhe të përcaktojë nëse ato i plotësojnë kërkesat për të ofruar. “Ky duhet të jetë perspektiva nga e cila bëhet çdo vlerësim”, paralajmëron Hoxhaj. Profesori thekson se “është shumë herët për të bërë një vlerësim të duhur të Diellës. Nuk ka kaluar as një vit ende”.

Hoxhaj sqaron se SPAK është institucioni përgjegjës për hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë që nga viti 2019. Ai shton se ky organ ka qenë themelor në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë që nga krijimi i tij, i frymëzuar nga zyrat e prokurorive speciale kundër korrupsionit në Kroaci dhe Rumani. Megjithatë, eksperti thekson se qeveria “duhet të zbatojë më shumë politika kundër korrupsionit për të siguruar që janë në vend masa efektive parandaluese”.

Rovena Sulstarova, menaxhere e Programit të Qeverisjes në Shqipëri në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), beson se ndikimi i inteligjencës artificiale në luftën kundër korrupsionit është, për momentin, “i përzier”. Sipas saj, inteligjenca artificiale mund të forcojë transparencën dhe të kufizojë mundësitë për abuzim. Por ajo paralajmëron se nuk është një zgjidhje më vete. “Nuk duhet mbivlerësuar.”

Intelektuali dhe shkrimtari Fatos Lubonja është thellësisht skeptik në lidhje me qëllimet e Ramës, madje edhe ato të BE-së. Lubonja kaloi 17 vjet në burg nën diktaturën komuniste të Enver Hoxhës (1944-1985).

Sot, duke folur nëpërmjet videokonferencë nga Tirana, ai shpjegon se Rama është si një karrige e mbështetur nga katër këmbë. “Njëra janë oligarkët, të gjithë njerëzit e pasur që e rrethojnë. Njëra është media që ata zotërojnë ose financojnë. E treta është krimi i organizuar. Dhe e katërta është mbështetja ndërkombëtare, veçanërisht nga Evropa Perëndimore dhe SHBA-ja.”

Shkrimtari shpjegon se Shqipëria gjithmonë e ka bazuar marrëdhënien e saj me perandori të ndryshme në dy faktorë: vasalitetin dhe statusin e saj periferik. “Vasalët kishin nevojë për legjitimitet nga qendra e perandorisë. Në këmbim, qendra mbyllte sytë ndaj asaj që po ndodhte këtu. Kjo funksionoi me Perandorinë Osmane, Perandorinë Austro-Hungareze, Bashkimin Sovjetik… Dhe tani me BE-në dhe SHBA-në, Rama ka nevojë për këtë legjitimitet nga Perëndimi. Dhe ai ka ditur si t’i japë Perëndimit atë që dëshiron, siç është marrëveshja me Giorgia Melonin për emigrantët, me anë të së cilës Shqipëria pret refugjatë të dërguar nga qeveria italiane në kampe internimi.”

Lubonja beson se ambasadorët e BE-së në Shqipëri janë shumë të vetëdijshëm për realitetin e vendit. “Kam folur me ambasadorët gjermanë, holandezë dhe polakë… Është e vërtetë që ata janë shumë të shqetësuar për krimin e organizuar dhe se mbështesin SPAK-un. Por Shqipëria është e ndërlikuar. Dhe Rama di si të luajë me të dyja palët.” Lubonja beson se ekziston një ndjenjë e caktuar superioriteti në pikëpamjen evropiane për Shqipërinë. “Thellë brenda, në Bruksel, ata mendojnë se ne nuk e meritojmë një demokraci dhe se kemi nevojë për një lloj princi si sauditi Mohammed bin Salman . Është më e lehtë për ta të merren me dikë të tillë.”

Në fund të fundit, pastrimi i niveleve të larta do të varet nga vullneti njerëzor.

Më tej Lubonja përfundon: “Nuk besoj se SPAK-u i vetëm mund ta ndryshojë vendin. Nuk mund ta reformosh vetëm sistemin e drejtësisë kur politika, ekonomia dhe krimi i organizuar po lëvizin të gjitha në drejtim të kundërt. Dhe Rama nuk po vepron me mirëbesim.”

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb