Imazhi i pathyeshmërisë së Iranit u shemb brenda pak orësh më 13 qershor, kur Izraeli nisi një sulm të papritur dhe të pashembullt thellë brenda Iranit, i cili shkatërroi ndjenjën e sigurisë së Teheranit dhe zbuloi aurën e tij të forcës, të kultivuar me kujdes.

Gjatë konfliktit 12-ditor, Irani iu kundërpërgjigj vazhdimisht Izraelit, duke shkaktuar dëme të mëdha në qytete të mëdha si Tel Avivi dhe duke vrarë 28 persona. Aftësia e tij për t’u hakmarrë nën zjarr fitoi lëvdata në vend, madje edhe midis njerëzve që folën për CNN dhe janë kundër regjimit.

Por është ajo që ndodh më pas që i shqetëson shumë iranianë. Ka frikë në rritje për një goditje të menjëhershme ndaj reformistëve dhe thirrje për ndryshim, ndërsa regjimi po përpiqet të çrrënjosë ata që dyshohen se janë bashkëpunëtorë me Izraelin. Deri të mërkurën, autoritetet kishin arrestuar 700 persona të akuzuar si “mercenarë të Izraelit”, raportoi Agjencia e Lajmeve Fars, e lidhur me shtetin.

Udhëheqësi Suprem Ajatollah Ali Khamenei, udhëheqësi me mandatin më të gjatë në Lindjen e Mesme, thuhet se fshihet në një bunker me pak akses në komunikime. Ai nuk është parë ende në publik që kur Izraeli dhe Irani arritën armëpushimin, i cili hyri në fuqi të martën. Ai ka sunduar me grusht të hekurt për më shumë se 35 vjet, duke shtypur protestat që nga të paktën viti 2005.

Çfarë thonë ekspertët: Arash Azizi, një ekspert për Iranin me qendër në Neë York City dhe autor i librit “Çfarë duan iranianët”, tha se iranianët ka të ngjarë të jenë të shqetësuar për “një regjim të plagosur që vjen pas tyre dhe mbylljen e mëtejshme të hapësirës politike dhe qytetare”.

Represioni mund të përkeqësohet, i tha ai CNN-së, duke shtuar se opozita iraniane jashtë vendit ka provuar të jetë “e paaftë dhe politikisht e parëndësishme”, ndërsa shoqëria civile në vend është “në mbrojtje”.

Ekspertët thonë se sulmet ndaj Iranit vetëm sa i kanë inkurajuar konservatorët, të cilët prej kohësh kanë ndjerë se Perëndimit dhe Izraelit nuk mund t’u zihet besë dhe se negociatat janë thjesht një taktikë për të dobësuar vendin. Fati i reformatorëve dhe pragmatistëve tani është në fije të perit dhe vetëm koha do të tregojë nëse ata do t’i mbijetojnë ndryshimit që ka të ngjarë të ndodhë në radhët e udhëheqjes, thanë ata.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb