KIEV– Gazetari rus që u raportua një ditë më parë se është vrarë në banesën e tij në Kiev është gjallë. Kreu i Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës tha se gazetari rus dhe kritiku i Kremlinit, Arkady Babchenko 44 vjec është ende gjallë, një ditë pasi autoritetet ukrainase njoftuan se ai është vrarë nga një person i armatosur në apartamentin e tij në Kiev.
Kreu i Shërbimit të Sigurisë të Ukrainës tha se kishte ishte informacion rreth një planifikimi për vrasjen e gazetarit dhe është inskenuar vrasja e tij për të prishur komplotin.
“Dua të falenderoj familjen e tij dhe të gjithë ne dhe të përgëzoj Babchenko për ditëlindjen e tij të tretë”- tha Sergej Gritsak, kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës, në një postim në rrjetet sociale.
‘Ditëlindja e tretë’ ishte një referencë e përdorur për t’ju referuar postimit të gazetarit, i cili më 29 maj 2016-të i shpëtoi vdekjes, pasi nuk hipi në një helikopter që shpërtheu në Rusi, duke deklaruar pas ngjarjes se do festonte ditëlindjen e dytë. Sipas Gritsak, ai mund të festojë tashmë ditëlindjen e tretë.
Gristak tha se ‘vrasja’ është inskenuar për të ekspozuar agjentët rusë. Ai u tha gazetarëve se shërbimet ruse të sigurisë kanë urdhëruar vrasjen e Babchenkos.

Gazetari po ashtu u shfaq në një konferencë shtypi në televizionin ukrainas të mërkurën, duke thënë se raportet fiktive për vdekjen e tij ishin pjesë e një operacioni që ishte përgatitur prej dy muajsh.
Babchenko falënderoi Shërbimin e Sigurisë të Ukrainës për shpëtimin e jetës së tij si dhe i ka kërkuar falje gruas së tij, pasi ishte ajo që e ka gjetur “të vdekur” në banesë dhe ka parë kur është transportuar në spital me ambulancë, por nuk e dinte që çdo gjë ishte një inskenim.
“Dua t’i kërkoj falje gruas time në veçanti”- tha gazetari rus.
Policia e Kievit dhe zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të Ukrainës thanë të martën se Babchenko është vrarë pasi u qëllua në shpinë jashtë banesës së tij në Kiev.
Gazetari njihet si një kritik i presidentit Putin, ndërsa në vitin 2012 denoncoi veprimet e Rusisë në Siri dhe në lindje të Ukrainës. Ai iku nga Rusia në vitin 2017, pasi mori kërcënime me vdekje për një postim që bëri në mediat sociale.
(d.d/BalkanWeb)
