Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, në një intervistë të dhënë për mediat, pas takimit që zhvilloi me kreun e PD-së Lulzim Basha, deklaroi se votat e Partisë Republikane janë shumë të rëndësishme.
Mediu theksoi se ka shumë rëndësi që të maksimalizohen votat për opozitën e opozitës, kurse shtoi se programi i PD-së duhet që të përfshijë idetë e Partisë Republikane.
“Unë besoj se koalicioni do të funksionojë jo vetëm për liderët e partive. janë të rëndësishme votat e PR dhe të partive të tjera, ka rëndësi edhe vota. Mund të bëni vetë kalkulimet sa i takojnë PR-së, PD-së etj. PR do jetë kontributore për të marrë vota edhe në Kukës, në Dibër, ku ka pretendime që të kontribuojë për koalicionin.
Programi i PD si program i opozitës ëhstë i plotë, duhet të jetë i të gjitha forcave politike, por ka specifika çdo parti. PD të reflektojë për pronarët e ligjshëm. Ne do i shërbejmë përherë interesit kombëtar”, u shpreh Mediu.
Kujtojmë se, PD-PR mund të kenë marrëveshje, kur kanë mbetur edhe gjashtë ditë nga afati final për regjistrimin e koalicioneve në KQZ. Ndërsa data 6 mars është afati i fundit kur partitë politike duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë.
Po sot, Lulzim Basha u takua edhe me aleatin tjetër, Shpëtim Idrizin e PDIU, me të cilët nuk ka arritur ende një marrëveshje.
Në parim, palët kanë një dakordësi për të shkuar me një listë të përbashkët, por ende nuk kanë dakordësuar se sa përfaqësues të partive të vogla do futen në listat e PD, në cilat qarqe dhe në cilën renditje të listës.
Ndërkohë janë mbyllur marrëveshjet me aleatë të tjerë ku Agron Duka i PAA do të garojë në Durrës, Nard Ndoka i PDK në Shkodër dhe Dashamir Shehi i LZHK në Tiranë.
(Balkanweb)
