Deputeti Fatmir Mediu zhvilloi takime në Uashington, D.C. me disa kongresmenë amerikanë, ku ngriti shqetësime për korrupsionin, krimin e organizuar dhe mungesën e zgjedhjeve të lira në Shqipëri.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe situata në rajon, ku Mediu theksoi rritjen e shpenzimeve ushtarake nga Serbia dhe provokimet ndaj Kosovës.
Ai bëri thirrje për forcimin e bashkëpunimit mes vendeve të NATO-s për të garantuar stabilitetin në Ballkan.
Reagimi i plotë:
Gjatë qëndrimit në Washington DC, kënaqësinë të takohesha me miq kongresmen dhe të diskutoja për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe në rajon.
Me kongresmenët, Ronny Jackson, Komitetit të Sigurisë dhe Komitetit të Inteligjencës, kryetar i Nën/Komisionit për Inteligjencën dhe Operacionet Speciale, Pete Sessions kryetari i Nën/Komitetit për Kontrollin e Operacioneve Qeveritare, Robert Aderholt bashkëkryetar i Grupit për Shqipërinë, Michael Cloud të Komitetit për Mbikqyrjen dhe Buxhetin, Kevin Hern Kryetari i Komitetit Republikan për Politikat, John Moolenaar kryetari i Komitetit Special për Kinën, si dhe me kryetarin e Komitetit për Europën, Kongresmenin Keith Self, diskutuam për kërcënimin që i vjen Shqipërisë nga korrupsioni, krimi organizuar dhe mungesa e zgjedhjeve të lira e të ndershme, në vazhdim dhe të seancës dëgjimore që u organizua 3 muaj më parë për Ballkanin dhe Shqipërinë, dhe si bashkëorganizator dhe pjesmarrës në Forumin Vjetor të Sigurisë.
Diskutuam gjithashtu për situatën në rajon e Ballkanit, rritjen e shpenzimeve ushtarake nga Serbia, në bashkëpunim me Kinën dhe Rusinë, dhe provokimet në vazhdim kundër Kosovës, dhe ndaj stabilitetit në Ballkan.
Kjo situatë kërkon një analizë dhe partneritet të vendeve të NATO-s në rajon, për të ndërtuar një bashkëpunim ushtarak dhe politik, në koordinim me NATO-n, në mbrojtje nga çdo provokim për të destabilizuar rajonin.
