Ish-presidenti rus Dmitry Medvedev , një aleat i Putinit , ka paralajmëruar se Lufta e Tretë Botërore mund të shpërthejë në çdo moment nëse Donald Trump vazhdon “kursin e tij irracional”. Medvedev tha se fillimi i një lufte të re botërore do t’i bënte shpërthimet bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki të dukeshin si “lojëra fëmijësh”.

Duke folur për agjencinë e lajmeve TASS, Medvedev i quajti sulmet e Trump ndaj Iranit një “gabim barbar” dhe paralajmëroi se vazhdimi i “kursit irracional të ndryshimit të regjimit” nga SHBA-të mund të provokojë një luftë të përgjithshme.

Ish-presidenti tha se politika aktuale e SHBA-së kërcënon të ndezë një konflikt global, duke vënë në dukje se “lufta ka të bëjë me ruajtjen e dominimit global të SHBA-së dhe aleatëve të saj”. Ai tha gjithashtu se Irani, si trashëgimtar i ish-Perandorisë Persiane, ka forcën për t’i bërë ballë sulmeve, por kostoja e kësaj qëndrueshmërie do të jetë e lartë.

Medvedev, i cili është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, theksoi se strategjia e Iranit për të kërkuar armë bërthamore pas sulmit të Trump është e pashmangshme. “Irani do të përpiqet me forcë të pajiset me armë bërthamore dhe askush nuk duhet ta dyshojë këtë”, theksoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb