Autoritetet italiane kanë goditur një tjetër rast të madh të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke sekuestruar 770 kilogramë kokainë “ekstra të pastër” në portin e Vado Ligure, në veriperëndim të Italisë.
Operacioni u krye nga Policia Financiare italiane (Guardia di Finanza) në bashkëpunim me autoritetet doganore. Sipas njoftimit zyrtar, sasia e madhe e kokainës ishte fshehur me kujdes brenda një kontejneri frigoriferik, mes dhjetëra paletave me banane.
Kontejneri kishte mbërritur nga një prej porteve kryesore të Ekuadorit, ndërsa kontrollet e autoriteteve zbuluan ngarkesën e paligjshme.
Sipas vlerësimeve të policisë italiane, droga e sekuestruar do të kishte një vlerë prej rreth 250 milionë eurosh në tregun e zi.
Autoritetet e kanë cilësuar operacionin si një nga goditjet më të rëndësishme kundër trafikut të drogës në portin e Vado Ligure gjatë viteve të fundit.
Ky është operacioni i dytë i madh brenda pak javësh në të njëjtin port. Më pak se tre javë më parë, forcat e rendit sekuestruan edhe 340 kilogramë kokainë, me një vlerë të përllogaritur prej rreth 120 milionë eurosh në tregun e paligjshëm.
Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin kriminal pas transportit të drogës dhe destinacionin final të ngarkesës.
