Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi sot se Italia sot po i tregon Evropës rrugën e lundrimit, pasi sipas saj, para tre viteve ka qenë dele e zezë e “kontinentit të vjetër”.

“Brenda tre vjetëve rikthyem imazhin e kombit tonë. Ishim dele e zezë dhe tani mund t’i tregojmë Evropës rrugën e lundrimit», deklaroi ajo nga Bari i Pulias.

Duke folur në një tubim parazgjedhor para zgjedhjeve rajonale lokale që do të mbahen pas dy javësh, kreu i qeverisë së Romës shtoi:
“Më kujtohet si thoshin se kurrë nuk do të arrinim të qeverisnim kombin, ose se do të zgjatnim më pak se gjashtë muaj. Sot jemi qeveria e tretë më jetëgjatë e Italisë në total 68. Dhe para tre ditësh, Financial Times shkroi se Evropa duhet të marrë mësim nga vendi ynë”.

Kryeministrja italiane përsëriti se synon të shterojë mandatin pesëvjeçar të kësaj legjislature dhe se më pas do të gjykohet për veprën e saj nga qytetarët. Në këtë mënyrë, e bëri të qartë se në rast se italianët pranverën e ardhshme nuk e miratojnë, përmes referendumit përkatës, reformën e drejtësisë të miratuar së fundmi nga parlamenti, ajo nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

“Melonin e drejtë ta dërgojë në shtëpi e kanë vetëm italianët. Është diçka me të cilën e Majta nuk është mësuar, është demokracia”, përfundoi kryeministrja italiane.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: