Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi se Italia nuk është në luftë dhe nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e konfliktit në Lindjen e Mesme, duke theksuar se Roma po punon për uljen e tensioneve dhe për rikthimin e dialogut diplomatik.
Në një videomesazh të publikuar për mediat, Meloni tha se prioriteti i qeverisë italiane është shmangia e përshkallëzimit të situatës dhe mbrojtja e qytetarëve italianë që ndodhen në rajon. “Italia nuk është në luftë dhe nuk ka ndërmend të bëhet pjesë e luftës,” u shpreh ajo. Sipas kryeministres, qeveria italiane po punon për të ulur tensionet dhe për të parë nëse ekziston ende mundësia për rifillimin e negociatave mes palëve në konflikt.
“Po punojmë për të ulur tensionet sa më shumë që të jetë e mundur dhe për të parë nëse ka ende mundësi për të rifilluar negociatat. Ndërkohë, vazhdojmë dialogun me të gjitha vendet e rajonit dhe ofrojmë ndihmën e nevojshme për bashkatdhetarët tanë që ndodhen në këtë zonë më të gjerë,” theksoi ajo. Meloni iu referua edhe një bisede telefonike që zhvilloi të premten me presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kancelaren gjermane Friedrich Merz. Ajo nënvizoi se Italia mori iniciativën për një koordinim të ngushtë mes katër vendeve të mëdha evropiane për të përballuar krizën aktuale.
“Morëm iniciativën për një shkëmbim analitik pikëpamjesh midis Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke aktivizuar koordinimin e katër vendeve të mëdha evropiane, me qëllim adresimin e përbashkët të krizës dhe forcimin e veprimeve diplomatike,” tha Meloni. Sipas saj, liderët evropianë ranë dakord për nevojën e bashkëpunimit për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës dhe për të kontribuar në stabilitetin e rajonit, ndërsa dialogu me vendet e Lindjes së Mesme do të vazhdojë.
